Një opercion i madh policor po zhvillohet para gjykatës rajonale në Bielefeld, ku po zhvillohej seanca gjyqësore për vrasjen e boksierit shqiptar nga Mitrovica, Besar Nimani.

Sipas gazetës gjermane Bild dëshmitarët okularë kanë raportuar se kanë parë njerëz të plagosur të shtrirë në tokë ndërsa oficerët e policisë dhe punonjësit e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje.

Seanca gjyqësor ndaj vrasjes së Nimanit ka filluar në orët nëntë të mëngjesit dhe vrasësi i dyshuar Huseyin Akkurt i cili u arrestua në Brukes korrikun e vitit të kaluar është në gjyq.

Sipas Bild, mes të plagosurve janë babai dhe vëllai i një të pandehuri në gjyqin për vrasjen e boksierit Besar Nimani.
Njëri u plagos me armë zjarri në këmbë, ndërsa një tjetër raportohet se është plagosur rëndë nga një plumb në gjoks.

Sipas një rindërtimi fillestar, një burrë qëlloi nga një trotuar, më pas hipi në një makinë dhe qëlloi disa herë nga brenda. Forca të shumta policie, përfshirë grupe speciale të ndërhyrjes së shpejtë, ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur një operacion në shkallë të gjerë, duke rrethuar zonën.
Alarmi për të shtënat bllokoi gjithashtu studentët dhe mësuesit e një shkolle të mesme që ndodhej pranë gjykatës, të cilët duhej të mbylleshin në klasa për arsye sigurie.
Autoritetet konfirmuan se një operacion në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar dhe se një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Ish boksieri 38-vjeçar nga Kosova u gjet i vrarë në qendër të qytetit gjerman Bielefeld rreth një vit më parë. Ai u qëllua 16 herë nga autorët të cilët lëvizën me një motor dhe më pas e braktisën për t’u larguar me makinë. Motivi i mundshëm: larje hesapesh në botën e krimit, shkruan Bild./Versus.al







