
Nadia Marcinko, ish-partnerja dhe bashkëpunëtorja e afërt e financierit të turpëruar Jeffrey Epstein, po rikthehet në qendër të vëmendjes mes hetimeve dhe interesit të ri publik për rrjetin e tij të abuzimeve seksuale.
Sipas një investigimi të publikuar nga BBC, Marcinko lindi si Nadia Marcinkova në një familje të pasur dhe të respektuar në Sllovaki. Ajo e takoi për herë të parë Epstein në Nju Jork në vitin 2003, kur ishte vetëm 18 vjeç, gjatë një feste ditëlindjeje të organizuar për Jean-Luc Brunel, mik i ngushtë i Epstein dhe drejtues i agjencisë së modelimit Karin Models në Nju Jork.
Sipas dëshmisë së saj para hetuesve federalë amerikanë, Brunel e kishte sjellë Marcinkon në SHBA me vizë të rregulluar prej tij, pasi ajo kishte punuar më parë si modele në Paris. Emaile të siguruara nga BBC tregojnë se Epstein dhe Marcinko festonin 17 shtatorin si “përvjetorin” e lidhjes së tyre për vite me radhë.

Ish-shokë të saj të klasës në Sllovaki e përshkruajnë Marcinkon si një vajzë shumë të turpshme, pavarësisht bukurisë së saj dhe karrierës së hershzme në modelim, që e çoi në vende si Japonia dhe Tajvani që në adoleshencë.
Vetëm disa ditë pas takimit të parë, Epstein e ftoi Marcinkon në rezidencën e tij në Palm Beach dhe më pas në ishullin privat Little St James në Karaibe, sipas regjistrimeve të fluturimeve të publikuara në dosjet hetimore.
Të dhënat e burgut tregojnë gjithashtu se gjatë dënimit të parë të Epstein në vitin 2008 për kërkim seksi nga një e mitur, Marcinko e vizitoi atë të paktën 67 herë. Megjithëse ajo nuk është akuzuar kurrë për ndonjë krim dhe avokatët e saj insistojnë se ishte viktimë e Epstein, disa dëshmi të vajzave të mitura në Florida pretendonin se ajo kishte marrë pjesë në abuzimet e financierit.
Investigimi i BBC zbulon edhe emaile private mes tyre, ku flitet për plane për të krijuar një familje së bashku. Në të njëjtën kohë, dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë pretendime të Marcinkos se Epstein ishte fizikisht i dhunshëm ndaj saj, duke e mbytur dhe hedhur nga shkallët gjatë marrëdhënies së tyre.
Rasti po rikthehet në fokus edhe në Kongresin amerikan, ku disa ligjvënës kërkojnë që Marcinko dhe bashkëpunëtoret e tjera të mundshme të Epstein të merren në pyetje pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme ligjore.

