Sot trupi i pajetë i Papa Françeskut transferohet në bazilikën e Shën Pjetrit ku do të mbahen homazhe nga besimtarët e mbledhur nga e gjithë bota. Në orën 11:00 dyert e bazilikës happen për besimtarët dhe do të qëndrojnë të hapura deri në mesnatë, për çdo ditë deri të premten më 25 prill.
Ndërsa të shtunën, do t’i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut i cili do të varroset në bazilikën e Santa Maria Maggiore ashtu siç e kishte lënë në testamentin e tij.
Ndërsa arkivoli iu afrua hyrjes së Bazilikës së Vatikanit, pati duartrokitje nga turma e besimtarëve që kishin zënë më shumë se gjysmën e kolonadës së Berninit në Sheshin e Shën Pjetrit. Dje, më shumë se 50.000 besimtarë u grumbulluan në Kolonadën e Shën Pjetrit, ndërsa në zonën e bazilikës ishin të pranishëm mbi 100.000 individë.
Shumë shtete kanë shpallur disa ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Françeskut, ndërsa liderët e botës e cilësuan si një humbje të madhe për botën.
Mëngjesin e 21 prillit, u njoftua se Papa Françesku kishte ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare si pasojë e një goditje në tru që më pas e kishte futur në gjendje kome. Javë më parë ai kishte dalë nga spitali ku ishte trajtuar me ndihmë mjekësore për 38 ditë si pasojë e një pneumonie të dyfishtë. Versus.al








