BOTA /

Sulmi në Mitrovicë, Prokuroria arreston Milan Radojiçiq

Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka qenë shpesh i përmendur për rolin e tij në destabilizimin e veriut të Kosovës.

Shkruar nga Versus

 

Sulmi në Mitrovicë, Prokuroria arreston Milan Radojiçiq

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të zbardhjes së përgjegjësive për tensionet e vitit 2022 në veri të vendit, duke lëshuar letër-rreshtim vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq dhe 10 personave të tjerë. Ata akuzohen për përfshirje në organizimin e barrikadave që për pothuajse tre javë bllokuan qarkullimin dhe sfiduan autoritetin e shtetit në komunat me shumicë serbe.

Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, nën hetim janë gjithsej 46 persona, dhe rasti po hetohet nga i njëjti prokuror që po merret edhe me rastin e dyshimeve për korrupsion në Ministrinë e Bujqësisë, Admir Shala. Ndërkaq, është konfirmuar se Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, është ftuar për intervistim nga Prokuroria, por ai nuk është paraqitur për shkak të pamundësisë së avokatit të tij, duke kërkuar shtyrje për një datë tjetër.

Çfarë ndodhi në dhjetor 2022?

Më 10 dhjetor 2022, arrestimi i ish-policit serb Dejan Pantiq, i dyshuar për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Mitrovicës, shkaktoi përshkallëzimin e situatës. Strukturat paralele serbe nisën vendosjen e barrikadave në rrugët kryesore, duke paralizuar qarkullimin dhe imponuar krizë të sigurisë.

Policia e Kosovës, e pafuqishme për të ndërhyrë në mungesë të mjeteve ajrore dhe përballë një situate të tensionuar, mbeti e izoluar në zonën e Jarinjës për ditë të tëra. Qeveria e Kosovës nuk dha urdhër për ndërhyrje direkte, duke u përballur me kritika për mungesë reagimi. Zgjidhja përfundimtare erdhi vetëm pas ndërhyrjes diplomatike të BE-së dhe ShBA-së, që ndërmjetësuan një marrëveshje për de-përshkallëzim.

Megjithëse në deklaratën e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Qeveria e Kosovës u zotua se nuk do të arrestonte pjesëmarrësit në barrikadat e quajtura “paqësore”, hetimet e reja dëshmojnë se prokuroria po vepron mbi bazën e provave të reja për përfshirje kriminale dhe organizim të veprimeve që kanë rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike.

Radojiçiq dhe historia e tensioneve në veri

Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka qenë shpesh i përmendur për rolin e tij në destabilizimin e veriut të Kosovës. Ai është përfolur edhe më parë për përfshirje në struktura kriminale dhe ka qenë objekt hetimesh për ngjarje të tjera, përfshirë incidentin e armatosur në Banjskë më 2023.

Kjo lëvizje e Prokurorisë Speciale sinjalizon një qasje më të ashpër institucionale ndaj rrjeteve të organizuara që operojnë në veri, dhe përbën një provë të vullnetit të institucioneve për të adresuar qartë të kaluarën e paprekur të individëve me ndikim në komunitetin serb në Kosovë.

Ndërkohë, pritet me interes se çfarë do të sjellë më tej hetimi i thelluar, përfshirë edhe pjesëmarrjen e politikanëve aktivë apo strukturave shtetërore në Serbi, në këtë rast të ndjeshëm dhe me peshë të madhe politike. /Versus.al

Poll