Papa Françesku na ka dhënë citate që kanë lënë gjurmë në tema të ndryshme: nga pedofilia te homofobia te lufta në Gaza dhe emigrantët. Disa fjali kanë shkaktuar diskutime, të tjera reflektim, disa të tjera kanë shkaktuar ilaritet. Këtu janë disa nga më të famshmet.
Erdhi nga "fundi i botës"- Një nga frazat më të famshme të Papa Françeskut erdhi menjëherë pas zgjedhjes së tij më 13 mars 2013: "Ju e dini që Papa është peshkopi i Romës, por duket se vëllezërit e mi kardinalë shkuan për ta marrë atë pothuajse nga fundi i botës. Por ne jemi këtu, ju falënderoj për mirëpritjen".
"Unë dua një kishë të varfër për të varfërit" -"Pse jam quajtur Françesku? Sepse ai mishëronte varfërinë. Unë dua një kishë të varfër për të varfërit." Ky është një tjetër nga thëniet e Papa Françeskut, i shprehur menjëherë pas zgjedhjes së tij, më 15 mars 2013.
"Kush jam unë për të gjykuar homoseksualët?"- "Nëse një person është homoseksual dhe kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë për ta gjykuar?"
"Pedofilia monstruozitet absolut"- Në gusht 2017, në parathënien e librit të Daniel Pittet mbi viktimat e reja të abuzimit seksual nga klerikët, Papa Françesku e quajti pedofilinë "një monstruozitet absolut, një mëkat i tmerrshëm, që bie ndesh me gjithçka që mëson Kisha". Papa kishte kërkuar falje nga të gjithë: "Disa viktima madje përfunduan duke kryer vetëvrasje. Këto vdekje rëndojnë mbi zemrën time si mbi ndërgjegjen time dhe mbi të gjithë Kishën".
"Unë tashmë e kam nënshkruar dorëheqjen time"- “Unë tashmë e kam nënshkruar dorëheqjen time”. Kjo është deklarata e bërë nga Ati i Shenjtë në një intervistë për gazetën spanjolle Abc në vitin 2022. "Tarcisio Bertone ishte Sekretar i Shtetit. E firmosa dhe i thashë: "Në rast pengese për arsye mjekësore apo çfarëdo, ja dorëheqja ime. E keni tashmë". Nuk e di kujt ia ka dhënë kardinali Bertone, por ia kam dhënë kur ishte Sekretar i Shtetit në vitin 2013”, saktësoi ai.
“Mesdheu është bërë varrezë”- "Kam folur shumë herë për Mesdheun, sepse jam peshkop i Romës dhe sepse është emblematik: Mare Nostrum, një vend komunikimi midis popujve dhe qytetërimeve, është bërë varrezë. Dhe tragjedia është se shumë emigrantë, shumica e këtyre vdekjeve, mund të ishin shpëtuar", është një tjetër frazë e njohur nga Papa Françesku, e thënë në gusht.
"Të hetohet nëse po ndodh gjenocid në Gaza"- "Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e një gjenocidi. Duhet të hetohet me kujdes për të përcaktuar nëse i përshtatet përkufizimit teknik të formuluar nga juristët dhe organet ndërkombëtare." Kjo është një nga frazat e diskutueshme të Papës, e shqiptuar në nëntor 2024.
"Çiftet nuk duan më shumë fëmijë, por kanë qen dhe mace"- Ndër thëniet e tjera të Bergoglio që kanë ngjallur reagime, janë disa të këtij lloji: “Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan, ose një dhe jo më shumë”, por kanë “qentë dhe macet që zënë vendin e fëmijëve të tyre”.
"Ju lutem mos harroni të luteni për mua"- Këtë listë të frazave domethënëse të Papa Françeskut mund ta përfundojmë vetëm me atë me të cilën Papa e mbylli Engjëllin në prag të Krishtlindjes 2023: "Ju lutem mos harroni të luteni për mua"./Versus.al








