BOTA /

Incident i rëndë në ishullin grek midis Rojës Bregdetare dhe kontrabandistëve të emigrantëve, thuhet se ka shumë të plagosur

Sipas informacioneve fillestare, gjithçka ndodhi kur një anije patrullimi e Rojës Bregdetare vuri re një anije me emigrantë pranë bregdetit të ishullit dhe kontrabandistët manovruan, duke u përplasur me anijen e Rojës Bregdetare Greke.

Shkruar nga Versus

Incident i rëndë në ishullin grek midis Rojës Bregdetare dhe

Greqi- Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, 3 shkurt pranë ishullit të Khios, ku ekuipazhi i një anije patrulle të Shërbimit Kufitar grek u përplas me trafikantë që po transportonin emigrantë drejt bregdetit të ishullit.

Mediat greke shkruajnë se ka shumë persona të plagosur, ndërsa aktualisht vijon një operacion kërkimi dhe shpëtimi.

Sipas të dhënave paraprake, patrulla e Kufirit gjeti një gomone me rreth 35 emigrantë dhe dha sinjal për t’u kthyer mbrapsht.

Trafikantët iu afruan anijes patrullë dhe shpërtheu një përleshje, gjatë së cilës disa persona ranë në det.

Disa nga emigrantët kanë mbetur të plagosur dhe janë nxjerrë nga deti nga anijet e Kufirit, duke u dërguar në portin e Khios ku ambulancat i kanë transportuar drejt Spitalit Skilitseio.

Operacioni po kryhet edhe me ndihmën e një helikopteri Super Puma i pajisur me kamera termike për të identifikuar të mbijetuarit në ujë.

Zona e incidentit mbahet nën kontroll të rreptë, ndërsa janë angazhuar forca nga ishujt fqinje dhe Shërbimi i Informacionit i Ministrisë së Marinës për hetimin e rrethanave dhe identifikimin e të përfshirëve.

Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kishte informacione zyrtare për gjendjen e të plagosurve, megjithëse dëshmitarët raportojnë për “shumë të plagosur rëndë” mes emigrantëve në gomone./Versus.al

Poll