Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka bërë një deklaratë të fortë emocionale në një fjalim të rrallë drejtuar besimtarëve, mes raportimeve për zhdukjen e tij nga skena publike prej ditësh. “Jeta ime nuk ka kuptim. Edhe nëse më vrasin, mos e konsideroni humbje, për sa kohë që qëndroni të vendosur në parimet e Imam Huseinit. Ne po e fitojmë këtë luftë për sa kohë që nuk përkulemi para pushtetit dhe lakmisë,” tha ai.
Fjalimi i Khameneit ka ardhur në një moment të ndjeshëm për Iranin, ku raportimet ndërkombëtare thonë se ai është fshehur në një bunker sekret së bashku me familjen dhe rrethin më të ngushtë. Nuk ka asnjë sinjal zyrtar se ku ndodhet saktësisht, por burime të afërta konfirmojnë se ai ka hequr dorë nga çdo formë komunikimi elektronik, për të shmangur zbulimin nga shërbimet inteligjente izraelite, veçanërisht Mossad-in.
Mediat shtetërore iraniane ndërkohë kanë nisur një fushatë paralajmëruese për qytetarët, duke i këshilluar të shmangin përdorimin e celularëve dhe internetit, pasi ato mund të shfrytëzohen nga Izraeli për të gjurmuar dhe eliminuar objektiva strategjikë — përfshirë shkencëtarë dhe komandantë të lartë ushtarakë.
Kjo situatë ka rritur tensionin publik. Shumë iranianë janë të zemëruar për izolimin total të vendit dhe mungesën e transparencës. “Ai është aq heroik sa as populli i tij nuk e di ku është,” shkroi një qytetare në rrjetet sociale. Të tjerë reagojnë edhe më ashpër: “I fshehur nën tokë si krimbat, ndërsa populli është i bombarduar dhe nuk ka strehë për t’i shpëtuar vdekjes.”
Mungesa e internetit në shumë rajone, ndërprerjet e komunikimeve dhe mosprania e Khameneit në publik vetëm sa kanë shtuar zërat e spekulimeve për gjendjen reale të udhëheqjes së Republikës Islamike, në një kohë kur vendi përballet me sulme të drejtpërdrejta nga SHBA dhe Izraeli.
Ndërsa tensionet në rajon sa vijnë e përshkallëzohen, Irani ndodhet mes dy fronteve: një lufte të jashtme dhe një krize të thellë të brendshme të besimit ndaj institucioneve dhe udhëheqjes. /Versus.al







