
Iraku po përballet me një situatë gjithnjë e më të tensionuar të sigurisë, teksa vendi duket se është vendosur në qendër të përshkallëzimit të konfliktit rajonal.
Në disa zona të vendit janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike, duke lënë pjesë të konsiderueshme të territorit në errësirë. Deri më tani nuk ka një sqarim zyrtar për shkakun, por pjesa më e madhe e vendit rezulton pa furnizim me energji.
Situata u përkeqësua pas rrëzimit të dy dronëve pranë aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit, vetëm pak orë pas një incidenti të ngjashëm në të njëjtën zonë. Sipas burimeve të sigurisë irakiane të cituara nga AFP, mjetet ajrore pa pilot u neutralizuan pa shkaktuar viktima apo dëme materiale.
Aeroporti i Bagdadit ka rëndësi të veçantë strategjike, pasi në perimetrin e tij ndodhet edhe një bazë ushtarake që përfshin një seli diplomatike amerikane dhe ku më herët kanë qenë të dislokuara forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Pas incidenteve, Ambasada e SHBA në Bagdad u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen sa më shpejt nga Iraku dhe të qëndrojnë në banesat e tyre deri në krijimin e kushteve të sigurta për evakuim.
Analistët vlerësojnë se Iraku po shndërrohet në një nga frontet më të ndjeshme të krizës rajonale. Një nga faktorët kryesorë është prania e grupeve të opozitës kurde iraniane në veri të vendit, të cilat Teherani i konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare.
Gjatë ditëve të fundit, Irani ka intensifikuar sulmet ndaj bazave të këtyre grupeve në Irakun verior, ndërsa tensionet mes Teheranit dhe aleatëve perëndimorë janë përhapur në disa vende të Lindjes së Mesme. Në këtë kontekst, Iraku rrezikon të kthehet në një nga pikat kryesore të përplasjes në krizën që po trondit rajonin.
عاجل:
— تمرة • tmrrah (@tmrrah9) March 4, 2026
( امر ما يحدث )
ظلام دامس يعمس مطار بغداد الدولي ضمن الانقطاع الشامل للكهرباء في العراق ???????? pic.twitter.com/TA0MNjPD8d


