
Islanda ka regjistruar Krishtlindjen më të ngrohtë të saj ndonjëherë, duke ngritur një tjetër alarm serioz për ndikimet e ngrohjes globale. Sipas Zyrës Meteorologjike Islandeze, më 24 dhjetor temperatura në qytetin Seyðisfjörður, në lindje të vendit, arriti në 19.8 gradë Celsius, një shifër thuajse 20°C, jashtë çdo norme për këtë periudhë.
Në kushte normale, temperaturat mesatare të dhjetorit në Islandë luhaten nga -1°C deri në 4°C. Rekorde të ngjashme u shënuan po atë ditë edhe në zona të tjera përreth, ku në Bakkagerði termometri shënoi 19.7°C, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2019.
Sipas meteorologëve, kjo rritje ekstreme e temperaturave u shkaktua nga masa ajri të ngrohta me origjinë tropikale, të cilat u drejtuan mbi vend nga një sistem i fuqishëm presioni të lartë, duke bllokuar hyrjen e ajrit të ftohtë.
Ekspertët paralajmërojnë se Islanda po ngrohet me ritme të përshpejtuara si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Gjatë vitit, vendi ka përjetuar valë të forta të të nxehtit, shkrirje të akullnajave dhe ndryshime të dukshme në ekosisteme. Për herë të parë janë vërejtur edhe mushkonja, një fenomen i panjohur më parë për Islandën. Studimet tregojnë se rajoni Arktik po ngrohet rreth katër herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit, duke e bërë Islandën një nga shembujt më domethënës të këtij ndryshimi drastik klimatik.

