
Plani për të transferuar emigrantët në kampin e Gjadrit në Shqipëri ka hasur në një pengesë të re ligjore. Gjykata e Lartë e Italisë (Kasacioni) ka vendosur të pezullojë përkohësisht procedurat, duke kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian për të sqaruar nëse kjo praktikë është në përputhje me të drejtën komunitare.
Sipas mediave italiane, Gjykata e Kasacionit ka paraqitur dy çështje paraprake, që prekin bazën ligjore të transferimeve dhe ndalimeve të migrantëve në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.
Ky vendim përbën një kthesë të papritur në raport me vendimin e mëparshëm të 8 majit, ku po e njëjta gjykatë i kishte barazuar qendrat e ndalimit në Shqipëri me ato në Itali, duke hapur rrugën për zbatimin e marrëveshjes.
Çfarë kërkon sqarim nga BE-ja?
Gjykata e Kasacionit kërkon interpretim nga Luksemburgu nëse:
Direktiva e BE-së për kthimin e shtetasve të vendeve të treta lejon transferimin e migrantëve në një vend të tretë si Shqipëria pa një perspektivë të qartë për kthimin e tyre.
Kjo praktikë shkel Direktivën e BE-së për procedurat e azilit, sidomos në rastet kur aplikimet për azil konsiderohen “instrumentale”, thënë ndryshe të bërë vetëm për të shmangur dëbimin.
Vendimi i ri ka ngjallur reagime të forta nga opozita italiane. Deputeti i të Gjelbërve, Angelo Bonelli, u shpreh se:
“Ky vendim konfirmon të gjitha paralajmërimet që kemi bërë. Marrëveshja me Shqipërinë nuk respekton të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.”
Ndërkohë, tre anije me migrantë të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil kanë mbërritur tashmë në kampin e Gjadrit, ku po mbahen në pritje të rikthimit në vendet e origjinës. Versus.al







