
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.
Në vitin 1999, ai ishte i angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në rolin e dëshmitarit, ai u thirr nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.
Thaçi vepronte kryesisht si udhëheqës politik, pa kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së, dhe duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak, tha Rubin gjatë dëshmisë.
Kur avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, pyeti Rubinin nëse pajtohet që Krasniqi, Ramë Buja dhe Sokol Bashota ishin udhëheqës të moderuar brenda UÇK-së, ish-Sekretari amerikan pohoi se kjo është e vërtetë, duke shtuar se "ekstremistët brenda UÇK-së rrezikonin jetën e mijëra civilëve", ndërsa "të moderuarit si Krasniqi e Thaçi synonin nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë për të siguruar mbështetjen e Perëndimit dhe për të mbrojtur popullsinë".
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, pyeti sërish Rubinin nëse kishte pasur ndonjë kontakt me Krasniqin.
“Kam pasur kontakte minimale me Krasniqin. Bashkëbiseduesi im kryesor ishte Thaçi”, u përgjigj Rubin.
I pyetur nëse kishte gjetur informacione që e lidhnin atë me pretendimet për ekzekutime dhe vrasje, Rubin tha se, ngjashëm sikurse për Thaçin, nuk ishte hasur në asnjë informacion që e lidhte atë me këto pretendime.
“Kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin informacione për këto pretendime, jo vetëm në vitet 2000, por edhe më vonë. Por, asnjëherë nuk kam marrë ndonjë informacion që t’i lidhte këto pretendime me ta”, tha Rubin.
Rubin tha se pas Bosnjës, ku ndodhën krime të tmerrshme, qëllimi ishte të mbroheshin civilët dhe të parandalohej përsëritja e atij tmerri.
Sipas tij, shqiptarët e Kosovës po vriteshin vetëm pse ishin shqiptarë.
“Donim të ishim në anën e viktimave. Ata, jo vetëm që ishin të shtypur, por po masakroheshin”, tha Rubin.
“Synimi ishte që njerëzit të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit të tyre”, shtoi ai.
Gjithashtu gjatë dëshmisë së tij Rubin foli dhe për marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara.
Ai theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.
Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.
“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, shtoi Rubin.
Ndërsa përsa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujes, Rubin tha se Thaçi shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s'e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.
"Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër", tha Rubin.
"Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar", shtoi ai.







