Një sasi tronditëse ekstazie është sekuestruar në Holandë, pasi një shtetas francez 57-vjeçar u ndalua nga policia ndërsa po lëvizte me furgon në autostradën A16, pranë qytetit Dordrecht, në jug të vendit. Ngjarja ndodhi të mërkurën, ndërsa lajmi u bë publik këtë të premte nga agjencia e lajmeve ANP.
Forcat e rendit vunë re furgonin rreth orës 13:00, për shkak të sjelljes së dyshimtë në trafik. Ata vendosën të kryejnë një kontroll të imtësishëm, gjatë të cilit zbuluan një "xhep" të fshehtë brenda mjetit, ku ndodheshin qindra thasë të mbushur me pilula shumëngjyrëshe.
Pas analizave laboratorike, rezultoi se bëhej fjalë për ekstazi (MDMA), në një sasi që kapte mbi 1 milion pilula, me peshë totale që tejkalonte 110 kilogramë. Policia holandeze e përshkroi zbulimin si një nga kapjet më të mëdha të viteve të fundit në rrugët ndërkombëtare.
Drejtuesi i furgonit u shoqërua menjëherë në komisariat dhe është marrë në pyetje nga autoritetet antidrogë. Hetimet janë ende në vazhdim dhe nuk përjashtohet mundësia e një rrjeti më të gjerë trafikimi ndërkombëtar.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Holanda po përballet gjithnjë e më shumë me trafikun e drogave sintetike, për të cilat vendi është kthyer në një qendër të madhe prodhimi dhe tranziti drejt pjesës tjetër të Europës.







