BOTA /

Katari: "Do t'i përgjigjemi Izraelit, Netanyahu vrau të gjitha shpresat për pengjet"

Netanyahu po na humbiste kohën, tha Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani

Shkruar nga Versus

Katari: "Do t'i përgjigjemi Izraelit, Netanyahu vrau të

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, tha se besonte që sulmi izraelit ndaj Dohas kishte “vrarë të gjitha shpresat” për pengjet e mbetura në Gaza dhe tha se Benjamin Netanyahu duhet të nxirret para drejtësisë, duke paralajmëruar se një përgjigje në koordinim me partnerët rajonalë ishte e afërt.

Al Thani tha se nuk mund të parashikonte se cila do të ishte përgjigja e Hamasit ndaj propozimeve të fundit të armëpushimit të SHBA-së nëse Izraeli nuk do ta kishte sulmuar Dohan të martën, por tha se besonte që Izraeli dhe Hamasi do të “shteronin mundësitë e tyre” për të siguruar një armëpushim.

“U takova me një nga familjet e pengjeve mëngjesin e sulmit”, tha Al Thani. “Ata mbështeten në këtë ndërmjetësim (armëpushim), nuk kanë shpresë tjetër për të”, shtoi ai. “Mendoj se ajo që bëri Netanyahu dje ishte të vriste të gjitha shpresat për pengjet”, tha kryeministri i Katarit.

"Do të ketë një përgjigje kolektive"
Katari shpreson për një “përgjigje kolektive” ndaj sulmit izraelit në Doha. “Do të ketë një reagim nga rajoni. Ky reagim është aktualisht në konsultim dhe diskutim me partnerë të tjerë në rajon”, tha Al Thani.

Al Thani tha se një samit arabo-islamik do të mbahet në Doha në ditët në vijim, ku pjesëmarrësit do të vendosin. Megjithatë, ai tha se Katari nuk do t'u kërkojë partnerëve të tjerë rajonalë të përgjigjen në një mënyrë specifike.

“Do të ketë një përgjigje kolektive nga rajoni”, tha Al Thani. “Shpresojmë për diçka thelbësore që do ta parandalojë Izraelin të vazhdojë këtë taktikë ngacmimi”, vuri në dukje ai.

"Netanyahu po na humbiste kohën, bisedimet ishin të pakuptimta"
“Kam menduar për të gjithë procesin e javëve të fundit, se Netanyahu thjesht po na humbiste kohën kot”, tha Al Thani. “Ai nuk ishte serioz për asgjë”, shtoi ai, duke i quajtur bisedimet e fundit “të pakuptimta”.

Al Thani shtoi se Katari po “shqyrton gjithçka” në lidhje me pjesëmarrjen e tij në çdo bisedime të ardhshme për armëpushim dhe shtoi se është në “diskutime shumë të hollësishme” me qeverinë amerikane se si të vazhdojë.

Të "nxirret para drejtësisë - Ai shkeli çdo ligj"
Benjamin Netanyahu duhet të “nxirret para drejtësisë”, tha Al Thani, duke shtuar: “Ai është personi që kërkohet (nga Gjykata Ndërkombëtare Penale).”

Netanyahu, së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Galland, janë paditur nga GJPN-ja për krime lufte të lidhura me veprimet e Izraelit në Gaza. Kryeministri dhe Galland i mohojnë akuzat.

Komentet e Al Thanit për CNN vijnë pasi Netanyahu e paralajmëroi Katarin në një deklaratë video të mërkurën që “ose të dëbojë (Hamasin) ose ta dorëzojë atë para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bën, ne do ta bëjmë.” 

“Mendoj se dikush si ai po përpiqet të japë mësime rreth luftës dhe ligjit. Ai po shkel çdo ligj, ai ka shkelur çdo ligj ndërkombëtar”, tha Al Thani.

Netanyahu po “përpiqet të minojë çdo shans për stabilitet, çdo shans për paqe” duke sulmuar udhëheqjen e Hamasit në kryeqytetin e Katarit, tha Al Thani.

Al Thani tha se ishte “e zakonshme” që ai ishte takuar me udhëheqjen e Hamasit, duke vepruar si ndërmjetës i Katarit në konfliktin e Lindjes së Mesme.

“Gjithçka rreth takimit është e njohur mirë për izraelitët dhe amerikanët. Nuk është diçka që po e fshehim”, tha ai. “Nuk ka asnjë justifikim që kjo të shihet si mbështetje e terrorizmit”, shtoi ai.

Kryeministri i Katarit nuk zbuloi fatin e kryenegociatorit të Hamasit, Khalil Al Hayya, pas sulmit izraelit: “Deri më tani... nuk ka asnjë deklaratë zyrtare. Po përpiqemi të përcaktojmë nëse ka ndonjë tjetër të zhdukur... Ka qytetarë të Katarit që janë në një situatë shumë të rrezikshme”, shtoi ai.

Poll