BOTA /

“Kemi mijëra objektiva për të goditur...” Izraeli paralajmëron ofensivë të gjatë kundër Iranit

Ushtria izraelite thotë se operacionet mund të zgjasin të paktën edhe tre javë; ndërkohë Trump flet për negociata, por thotë se kushtet nga Teherani “nuk janë ende të mira”

Shkruar nga Versus

“Kemi mijëra objektiva për të goditur...” Izraeli

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit duket se është larg përfundimit. Ushtria izraelite ka paralajmëruar se ofensiva kundër Iranit mund të vazhdojë për të paktën edhe tre javë të tjera, pasi sipas saj ka ende “mijëra objektiva” që duhet të goditen.

Në një deklaratë për CNN, zëdhënësi i Israel Defense Forces, gjeneral brigade Effie Defrin, tha se operacionet janë planifikuar të zgjasin të paktën deri në festën hebraike të Pesach, që bie pas rreth tre javësh.

“Ne kemi mijëra objektiva për të arritur. Jemi gati, në koordinim me aleatët tanë amerikanë, me plane që do të zgjasin të paktën deri në Pesach. Madje kemi plane edhe më ambicioze për tre javët që pasojnë,” deklaroi Defrin.

Ai shtoi se ushtria izraelite nuk vepron sipas një kalendari të ngurtë, por sipas objektivave strategjike që synon të arrijë. “Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk punojnë sipas një kronometri apo një tabele të përcaktuar, por për të arritur qëllimet tona,” theksoi ai.

Ndërkohë, në ditët e fundit janë shtuar tensionet në rajon. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ekziston gatishmëri nga Teherani për negociata, por sipas tij kushtet e ofruara deri tani “nuk janë ende mjaftueshëm të mira”.

Konflikti ka sjellë edhe përshkallëzim të sulmeve në rajon. Gjatë natës janë raportuar sulme të reja në Liban nga ushtria izraelite, ndërsa autoritetet lokale kanë raportuar viktima, përfshirë edhe fëmijë. Situata mbetet e tensionuar dhe rreziku i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme vazhdon të shqetësojë komunitetin ndërkombëtar.

Poll