BOTA /

Kërcënoi vajzën e Melonit, profesori: Ma 'sugjeroi' ChatGPT! Tani s'dal dot nga shtëpia

Stefano Addeo, mësuesi italian që u bë objekt sulmesh pasi publikoi një mesazh kërcënues ndaj vajzës së kryeministres Giorgia Meloni, ka folur për herë të parë në një intervistë për La Repubblica.

Shkruar nga Versus
Kërcënoi vajzën e Melonit, profesori: Ma 'sugjeroi'
Stefano Addeo

Stefano Addeo, mësuesi italian që u bë objekt sulmesh pasi publikoi një mesazh kërcënues ndaj vajzës së kryeministres Giorgia Meloni, ka folur për herë të parë në një intervistë për La Repubblica. Ai e përshkruan ngjarjen si një “gabim tw tmerrshëm”, të cilin thotë se ia sugjeroi ChatGPT.

“Jo unë, ka qenë inteligjenca artificiale. Të premten pashë në televizor që qeveria nuk distancohej nga lufta e Izraelit: i kërkova ChatGPT të më shkruante një mesazh kundër Melonit. Dhe doli ajo gjë e tmerrshme. E publikova. Kjo ndodhi, tani nuk di më çfarë të bëj…”, deklaroi ai.

Ai tregoi se nuk mund të dalë nga shtëpia dhe se në një moment e kishin ndjekur edhe me makinë. I pyetur se çfarë do të thoshte nëse do ta kishte përballë Melonin, ai tha “do ta përqafoja, do t’i kërkoja falje, do qaja me të. Vajzës së saj i uroj gjithë të mirat, dhe do t’i këshilloja të bëjë kujdes me rrjetet sociale.

Intervista për La Repubblica:

Profesor, e kuptoni seriozitetin e situatës?

“Kam bërë një marrëzi, postimi është i së premtes në mbrëmje, të shtunën në mëngjes e kisha fshirë”.

Në postime të tjera më parë, u uron të njëjtin fat si palestinezëve fëmijëve të Tajanit dhe Salvinit…

“Ato janë karikatura që i gjej dhe i ripublikoj. Nuk më kujtohet të kem shtuar atë koment. Por tani po instrumentalizohet, edhe shenjtorët bëjnë gabime”.

Si keni mundur të formuloni mendime të tilla?

“Jo unë, ka qenë inteligjenca artificiale. Të premten pashë në televizor që qeveria nuk distancohej nga lufta e Izraelit: i kërkova ChatGPT të më shkruante një mesazh kundër Melonit. Dhe doli ajo gjë e tmerrshme. E publikova. Kjo ndodhi, tani nuk di më çfarë të bëj…”.

Nuk menduat as një minutë?

“Mendja ime ndoshta nuk do ta kishte prodhuar. Për një çast, kur e lexova thashë me vete: o zot, çfarë ligësie… Por të premten në mbrëmje doja të bëja një postim. Pastaj në mëngjes mendova se nuk mund të luaja me fëmijët. M’u deshën disa orë më shumë”.

Flasim për një feminicid të një katërmbëdhjetëvjeçareje.

“Sigurisht, më vjen keq për atë vajzë. ChatGPT doli më djallëzore seç mendoja. Unë jam katolik, mbroj të drejtat e kafshëve, ndihmoj fëmijë të sëmurë në spital, jam vegjetarian. Morali dhe deontologjia ime janë larg atyre fjalëve. Jam i majtë, por kjo nuk justifikon mesazhe të tilla. M’u desh të fshija të gjitha rrjetet sociale, duan të më rrahin. Po përballem me pasoja shumë të rënda”.

Çfarë lloj pasojash?

“Këtë mëngjes dola me qenin, më njohën nga një makinë: më ndoqën, u detyrova të futem me vrap në shtëpi”.

E keni denoncuar?

“Jam i mbyllur në shtëpi, pres të më shoqërojë ndonjë i afërm. Më hedhin domate në portë”.

Ju jeni mësues. Si do t’ua shpjegoni nxënësve tuaj?

“Nga nxënësit po marr solidaritet: më njohin, më duan. Kam ndjekur kurse specializimi për bullizmin kibernetik, mendoja se isha imun ndaj dinamikave të rrjeteve sociale, por më dolën jashtë kontrollit. Më vjen keq që profesioni im mund të komprometohet: ministri ka nisur një hetim, drejtoresha ime nuk është në anën time. Shpresoj që të ketë mirëkuptim”.

Mund të ketë edhe pasoja penale.

“Shikoni, më tremb më shumë siguria ime fizike”.

Keni fëmijë?

“Jo, jetoj me nënën time 90-vjeçare që kujdesem. Dy vite më parë, në një zjarr që shpërtheu në shtëpi, humbi jetën babai im, një tragjedi”.

Nëse do ta kishit përballë kryeministren Meloni, çfarë do t’i thonit?

“Do ta përqafoja, do t’i kërkoja falje, do qaja me të. Vajzës së saj i uroj gjithë të mirat, dhe do t’i këshilloja të bëjë kujdes me rrjetet sociale”. 

“I uroj vajzës së Melonit të njëjtin fat si vajzës nga Afragola (e vrarë)”. Ky ishte komenti i profesorit në fjalë. Versus.al

Poll