BOTA /

Komisionerja për Zgjerimin jep sinjale të forta: Brenda mandatit tim, Shqipëria drejt anëtarësimit të plotë në BE

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka dhënë sinjale të qarta për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit.

Shkruar nga Versus
Komisionerja për Zgjerimin jep sinjale të forta: Brenda mandatit tim,
Marta Kos

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka dhënë sinjale të qarta për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit. Gjatë Konferencës së Qendrës për Studime Evropiane, mbajtur më 30 maj në Bruksel, Kos deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shans real për t’u bërë pjesë e plotë e BE-së brenda mandatit të saj.

“Ne kemi një mundësi reale për të pranuar një ose më shumë vende kandidate me të drejta të plota brenda vitit 2029,” u shpreh Kos, duke nënvizuar progresin e Shqipërisë, e cila ka hapur tashmë 24 kapituj negociatash.

Vetëm në dy muajt e fundit, janë hapur grup-kapitujt e dytë dhe të tretë, një tregues i qartë i dinamikës së re që ka marrë procesi i integrimit për Tiranën zyrtare.

“Ky vend kandidat e ka kuptuar vrullin e ri për zgjerim, duke ndërmarrë reforma më të shpejta se më parë. Shqipëria është gjithashtu e angazhuar për të qenë pjesë e sistemit tonë të përbashkët të sigurisë,” tha Kos.

Ajo theksoi se shteti i së drejtës mbetet një parakusht i panegociueshëm dhe ritheksoi vendosmërinë e saj për të përmbyllur procesin e zgjerimit me rezultate konkrete:

“Brenda mandatit tim si komisionere për Zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja nga Ballkani Perëndimor. Me kryeministrin Edi Rama kemi një marrëveshje të qartë. Gjithmonë kam këmbëngulur që ky proces të bazohet në meritë. Kemi rënë dakord për ta çuar përpara më në fund ‘martesën’ e Shqipërisë me Evropën,” përfundoi Kos. Versus.al

 

Tags:

marta kos

Poll