BOTA /

Kosova u armatos me mijëra dronë, NATO: Çdo veprim duhet të koordinohet me KFOR

Shkruar nga Versus

Kosova u armatos me mijëra dronë, NATO: Çdo veprim duhet

Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore të Kosovës të bëhet në bashkërendim të duhur me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i parandaluar tensionet dhe për të garantuar siguri, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore.

Autoritetet kosovare njoftuan më 8 tetor se pranuan “mijëra” dronë luftarakë nga Turqia, duke nxitur reagime të ashpra nga fqinji verior, Serbia.

Zyrtari i NATO-s e vlerësoi Turqinë si kontribuuese të kamotshme në misionin e udhëhequr nga ajo në Kosovë, KFOR, dhe në stabilitetin rajonal.

Por, ai nuk deshi t’i përgjigjej pyetjes së REL-it se në çfarë rrethanash Kosovës mund t'i lejohet që t’i përdorë këta dronë, duke ditur se vetëm misioni i udhëhequr nga NATO-ja e ka autoritetin mbi hapësirën ajrore të saj.

“KFOR-i e mbikëqyr rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe burimet që ka në dispozicion, në përputhje me autoritetin dhe mandatin e saj ekzistues, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha zyrtari i NATO-s.

Ai theksoi se KFOR-i mbetet i përfshirë “ngushtë në këtë çështje të rëndësishme dhe është në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me forcat e armatosura të Serbisë për këtë qëllim”.

KFOR-i, gjithashtu, është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani i ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete. REL

Poll