Gjykata Speciale arrestoi sot ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.
Specialja në një njoftim dërguar mediave ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar "po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë".
"Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)", thuhet në njoftimin e Speciales.
Familjarët e të arrestuarve kanë konfirmuar aksionin e Speciales gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë mediat kosovare thonë se është bastisur dhe banesa e ish-ministrit të Drejtësisë në Kosovë.
Telegraf shkruan se Hajredin Kuçi është arrestuar por ende nuk është e qartë.
Në një prononcim për media djali i Fadil Fazliut, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, ka thënë se ai pritet të dërgohet në Hagë.
“Ai ndodhet për momentin në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë dhe pritet të dërgohet për në Hagë”, ka theksuar Fazliu.







