BOTA /

Kosovë, KQZ-ja certifikon rezultatet e 9 shkurtit, hapet rruga për formimin e institucioneve të reja

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e zgjedhjeve në këtë kohë, pasi partia e tyre ka kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotim me postë, pavarësisht se Gjykata Supreme e rrëzoi kërkesën e saj.

Shkruar nga Versus
Kosovë, KQZ-ja certifikon rezultatet e 9 shkurtit, hapet rruga për

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Në një mbledhje pasditen e së enjtes në Prishtinë, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota për dhe 2 kundër.

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e zgjedhjeve në këtë kohë, pasi partia e tyre ka kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotim me postë, pavarësisht se Gjykata Supreme e rrëzoi kërkesën e saj.

“Ne do t’i ndjekim rrugët ligjore dhe do ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për masë të përkohshme për moszbatimin e kësaj pjese të votave, prandaj... deri sa të përfundojnë të gjitha rrugët ligjore nuk mund ta votojë certifikimin e rezultateve”, tha Kurteshi.

LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.

Tre kryetarë komunash - përfshirë kandidatin e PDK-së për kryeministër në këto zgjedhje Bedri Hamza - hoqën dorë nga mandati i deputetit, sepse, sipas ligjeve dhe Kushtetutës, nuk kanë të drejtë t’i mbajë dy pozita zyrtare.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe do të zëvendësohet nga Arben Gashi. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti do të zëvendësohet nga Paris Guri, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, do të zëvendësohet nga Rashit Qalaj.

Pas certifikimit të rezultateve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se deri në zgjedhjen e Qeverisë së re "Qeveria jonë do t'i ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi".

"Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve", tha ai.

Sipas nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.

Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.

Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parapara në Kushtetutë dhe ligje të tjera, siç shpjegon teksti në vijim.

Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës

Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë është konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe pastaj i formimit të Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.

Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.

“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në Nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.

Qeveria e re

Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri.

Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë së re.

Kabineti qeveritar i propozuar duhet t'i sigurojë votat e 61 deputetëve.

LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Pra, i bie që asnjëra parti nuk do të mund të formojë vetëm Qeverinë, por për ekzekutivin e ri do të duhet të formohen koalicione.

Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë joshumicë – të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Partitë e mëdha shqiptare po ashtu janë shprehur kundër bashkëpunimit për ekzekutivin e ri me LVV-në. Por, Kurti ka shprehur bindjen se do të udhëheqë qeverinë e re.

Megjithatë, nëse LVV-ja dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike.

Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin.

Mandatari më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë./REL

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: