
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë të dhënë për mediat vendase ka folur mbi marrëdhëniet e saj me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin raportohet se prej kohësh ka një krisje të thellë sa i përket bashkëpunimit për vendimmarrje të ndryshme.
Osmani tha se bashkëpunimi institucional vazhdon duke theksuar se pavarësisht qasjeve të ndryshme nga Kurti, ka synim të njëjtë me të sa i takon integrimit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Jemi taku shpeshherë, sidomos dy vitet e fundit kemi pasur vazhdimisht diskutime. Sot folëm mes vete (06.09.2024), e kishim 25 -vjetorin e (themelimit të) Policisë. Ne bashkëpunojmë si institucione, e kemi detyrë kushtetuese me bashkëpunu. Kemi qasje të ndryshme se si me u arrit synimi të njëjtë, të gjithë jemi të gabueshëm, nuk ka njëri të pagabueshëm, nuk mund të them tani që cila qasje do të ketë më shumë sukses për Kosovën, por synimin e kemi të njëjtë, një Kosovë sovrane të integruar në strukturat euro-atlantike”- ka thënë Osmani.
Por megjithatë, Osmani ia ka “hedhur fajin” qeverisë përsa i takon mosdiskutimit dhe moskoordinimit mbi çështje të caktuara. Ajo tha se nuk e ka diskutuar me Kurtin ofertën e Gjermanisë për mundësinë që Kosovë të largojë masat ndaj mallrave serbe.
“Për ketë temë jo sepse mënyra siç shkon kjo punë ata duhet më pyet presidenten për çështje të politikës të jashtme dhe ketë çështje nuk e kanë shtru ndonjëherë para meje”- tha Osmani.
Krisja e Kurtit me Osmanin u konfirmuar edhe në fund të korrikut, kur Kurti mungoi në takimin e thirrur nga presidentja lidhur me datën e zgjedhjeve parlamentare. Lidhur me këtë fakt, Osmani tha se nuk ka dijeni mbi arsyen e mosparaqitjes së tij në mbledhje. Versus.al








