Prokuroria turke ka kërkuar dënim me pesë vjet burg për gazetarin turk, Fatih Altayli, i cili u arrestua në muajin qershor për shkak të kërcënimeve të supozuara ndaj presidentit të shtetit, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar organizata për të drejtat e njeriut në Turqi, MLSA.
Gazetari ka 2.8 milionë ndjekës në platformën X (ish-Twitter) dhe mbi 1.5 milion abonentë në YouTube, ku drejtonte një emision të përditshëm. Duke komentuar një sondazh që tregonte se rreth 70 për qind e turqve janë kundër një presidence të përjetshme të Erdoganit, Altayli kishte kujtuar se disa sulltanë osmanë ishin vrarë ose mbytur në fund të sundimit të tyre.
Prokurori kërkoi dënimin e tij duke argumentuar se ky koment i gazetarit ka qenë një kërcënim për Erdoganin.
Gjatë seancave të mëparshme dëgjimore, gazetari kishte deklaruar se thjesht kishte paraqitur një “kontekst historik”, pa asnjë qëllim kërcënues.
Pas arrestimit të tij në fund të qershorit, dhjetë organizata të gazetarëve dhe të drejtës së shprehjes kanë kërkuar nga autoritetet turke lirimin e tij.
“Kërkojmë lirimin urgjent të Fatih Altayli dhe i bëjmë thirrje autoriteteve turke që të ndalojnë përdorimin e boshllëqeve ligjore për të përndjekur gazetarët”, thuhet në deklaratën e organizatave, përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).
“Ky arrestim është një abuzim i qartë i ligjit penal që synon të heshtë komentet kritike politike”, theksojnë organizatat që kanë nënshkruar kërkesën për lirimin e Altaylit, përfshirë Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve.
Turqia renditet në vendin e 159-të nga 180 shtete për lirinë e shtypit, ndërmjet Pakistanit dhe Venezuelës.
Erdogan, që ka qenë kryeministër nga viti 2003 deri më 2014 para se të bëhej president, sipas Kushtetutës nuk mund të kandidojë sërish pas përfundimit të mandatit në vitin 2028. Megjithatë, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme ose një reformë kushtetuese mund ta lejojë atë të qëndrojë në pushtet më gjatë. Versus.al







