Udhëheqësit evropianë nuk i besojnë SHBA-së në bisedimet për paqe me Rusinë dhe Ukrainën – dhe kjo duket të jetë shumë më e thellë se sa është treguar publikisht.
Sipas informacioneve të medias gjermane Der Spiegel, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë paralajmëruar me fjalë shumë të forta në një bisedë telefonike konfidenciale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa liderë të tjerë evropianë, se SHBA mund të “tradhtojë” Ukrainën dhe Evropën.
Sipas një transkripti në anglisht të telefonatës që Spiegel ka siguruar, Macron ka thënë:
“Ekziston mundësia që SHBA të tradhtojë Ukrainën për çështjen e territorit, pa dhënë qartësi për garancitë e sigurisë.”
Ai shtoi se Zelensky ndodhet “në rrezik të madh”. Kërkesat e Rusisë për dorëzimin e territoreve janë një nga pikat më të ndjeshme të negociatave.
Sipas dokumentit, Merz ka paralajmëruar se Zelensky duhet të jetë “jashtëzakonisht i kujdesshëm në ditët e ardhshme”. Ai ka thënë:
“Ata po luajnë lojëra, si me ju edhe me ne,” duke iu referuar me gjasë dy të dërguarve të presidentit amerikan Donald Trump: biznesmenit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrit të Trump.
Deklaratat e përfshira në transkript tregojnë qartë nivelin e mosbesimit të liderëve evropianë ndaj dy negociatorëve amerikanë.
Edhe pse publikisht BE ka vlerësuar nismën e SHBA-së për ndërmjetësim, dokumenti tregon se shumë liderë evropianë nuk u besojnë Witkoff dhe Kushner.
Presidenti finlandez Alexander Stubb, i cili njihet si një nga të paktët evropianë që ka raport të mirë me Trump, po ashtu paralajmëroi:
“Nuk duhet ta lëmë Ukrainën dhe Volodymyrin vetëm me këta njerëz,” ka thënë ai.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u pajtua me të: “Duhet ta mbrojmë Volodymyrin.”
Telefonata u zhvillua të hënën. Ajo erdhi pas takimeve që këshilltari i sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov, pati gjatë fundjavës në Florida me ministrin e jashtëm amerikan Marco Rubio, si dhe me Witkoff dhe Kushner.
Pas takimit, Rubio u shpreh se ka “shumë punë për të bërë” për të ndërtuar një plan paqeje me Rusinë.
Zelensky në platformën X ka vlerësuar “dinamikën konstruktive” të bisedimeve dhe ka theksuar se të gjitha temat u diskutuan hapur, me fokus sovranitetin dhe interesat kombëtare të Ukrainës.
Rusia kërkon dorëzimin e të gjithë Donbasit – përfshi zonat që aktualisht kontrollohen nga Ukraina – kërkesë që Kievi e refuzon plotësisht.
Deklaratat publike dhe ato private nuk përputhen
Rubio konsiderohet më skeptik ndaj Rusisë dhe më i gatshëm të marrë parasysh interesat evropiane, krahasuar me të dërguarit e tjerë amerikanë. Por ende nuk dihet si do të pozicionohet vetë Trump.
Në telefonatën e së hënës morën pjesë edhe kryeministri i Polonisë Donald Tusk, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian António Costa.
Shumë prej tyre konfirmuan se telefonata ishte zhvilluar dhe se përmbajtja, në vija të përgjithshme, ishte e saktë edhe pse nuk pranuan të konfirmonin fjalë për fjalë citimet, për shkak të konfidencialitetit.
Parisi mohoi që Macron të ketë përdorur termin “tradhti nga amerikanët”. Ata nuk dhanë detaje për fjalët e sakta të presidentit, duke u mbështetur te rregulli i sekretit diplomatik. Në konferencën e shtypit që Macron dha me Zelensky në Paris të hënën, ai lavdëroi rolin amerikan dhe tha:
“Po zhvillohet një ndërmjetësim amerikan, dhe kjo është një gjë shumë e mirë që do të ushtrojë presion ndaj Rusisë.”
Ndërsa Merz në Berlin deklaroi:
“Asnjë vendim mbi Ukrainën dhe Evropën pa ukrainasit dhe pa evropianët. Asnjë paqe e diktuar mbi kokat e tyre.”
Gjermania kërkon të përdorë asetet ruse të ngrira si presion ndaj Moskës, dhe Merz konfirmoi se BE po punon që t’i vërë ato në funksion të negociatave.
Ndërkohë, të martën, Witkoff dhe Kushner u takuan në Kremlin me Vladimir Putinin për një bisedë pesë-orëshe. Zyrtarët rusë deklaruan se disa propozime u pranuan, ndërsa të tjera u refuzuan.
Evropianët shpresonin të organizonin një takim me Witkoff dhe Kushner, por nuk u arrit. Witkoff u kthye direkt në SHBA dhe takimi dështoi. Megjithatë, negociatorët ukrainas u takuan sërish me zyrtarët evropianë në Bruksel, ndërsa të enjten pritet të takohen në Miami me Witkoff dhe Kushner — sërish pa praninë e evropianëve./Përshtati në shqip Versus.al
