Drejtuesi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, ka paralajmëruar se bota po përballet me një krizë energjetike më të rëndë se sa goditjet e dyfishta të naftës të viteve 1970 dhe pasojat e luftës në Ukrainë së bashku.
Në një fjalim për mediat të hënën në Australi, Birol tha se kriza e energjisë, e shkaktuar nga lufta midis SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, tejkalon ndikimin e krizave të naftës të vitit 1973 dhe 1979, si dhe mungesat e gazit të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës në 2022.
“Kjo krizë është si të bashkosh dy kriza të naftës dhe një krizë gazi në një të vetme,” tha Birol gjatë fjalës së tij në National Press Club të Canberrës.
Ai theksoi se bllokimi efektiv i Ngushticës së Hormuzit dhe sulmet ndaj objekteve energjetike kanë ulur furnizimet globale me naftë me rreth 11 milionë fuçi në ditë, më shumë se dyfish i mungesave të krizave të viteve ’70. Furnizimet me gaz natyror të lëngshëm (LNG) janë reduktuar me rreth 140 miliardë metra kub, krahasuar me mungesën prej 75 miliardë metra kub pas pushtimit rus të Ukrainës.
Birol gjithashtu tha se të paktën 40 objekte energjetike në nëntë vende janë dëmtuar rëndë nga konflikti. “Ekonomia globale po përballet sot me një kërcënim të madh, dhe shpresoj shumë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur,” shtoi ai.
Si masë për zbutjen e krizës, IEA ka propozuar ndër të tjera lehtësimin e punës nga distanca, karpooling-un dhe uljen e kufizimeve të shpejtësisë në autostrada. Birol vuri në dukje se kriza nuk ishte kuptuar plotësisht më parë, prandaj dhe ai vendosi të fliste publikisht për situatën për herë të parë javën e kaluar.
Ai tha se po konsultohet me vende të ndryshme për lirimin e rezervave strategjike të naftës nëse është e nevojshme, por “zgjidhja më e rëndësishme” mbetet çlirimi i Ngushticës së Hormuzit, e cila zakonisht transporton rreth një të pestën e furnizimeve globale me naftë dhe LNG.
Çmimet e naftës janë rritur mbi 50% që nga fillimi i luftës, e cila nisi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa Irani ka vendosur bllokimin efektiv të këtij rrugëkalimi jetik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Iranit një ultimatum 48-orësh për të çliruar ngushticën, përndryshe i kërcënoi shkatërrimin e centraleve të tij, afati i të cilit skadon të hënën në mbrëmje sipas orës amerikane. Irani ka kërcënuar të mbyllë plotësisht ngushticën dhe të sulmojë infrastrukturën energjetike dhe ujore në rajon në rast se SHBA godet centralet e tij./Marrë nga AlJazeera-përshtati në shqip Versus.al

