Siri- Rebelët sirianë deklaruan se morën kontrollin e qytetit jugor të Daraas të shtunën, vendin ku nisi kryengritja ndaj Bashar al Assadit gjatë vitit 2011.
Me rënien e Daraas, forcat e Asadit kanë dorëzuar katër qendra të rëndësishme kryengritësve brenda një jave. Daraa, e cila kishte një popullsi prej më shumë se 100,000 banorësh përpara fillimit të luftës civile 13 vjet më parë, ka një rëndësi simbolike si djepi i kryengritjes. Është kryeqyteti i një krahine me rreth 1 milion banorë, në kufi me Jordaninë.
Ndërkohë rebelët kanë mbërritur në Homs, qytetin e tretë më të madh në vend në raport nga popullsia. Një koalicion i fraksioneve rebele që përfshin grupin islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) i bëri thirrjen e fundit forcave besnike të qeverisë së Asadit në Homs që të largohen.
Regjimi i Asadit në rrezik
Një aleancë e mbështetur nga SHBA-ja e udhëhequr nga luftëtarët kurdë sirianë pushtoi të premten Deir el-Zor, pikëmbështetjen kryesore të qeverisë në shkretëtirën e madhe lindore.
Rebelët pushtuan Alepon dhe Hamën në veriperëndim dhe në qendër më herët gjatë ofensivës së rrufeshme që filloi më 27 nëntor.
Të paktën 370,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë zhvendosur tani në Siri për shkak të përshkallëzimit të fundit të luftimeve. Versus.al







