Në ditën e tretë të fazës përfundimtare të procesit gjyqësor në Hagë, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, pritet të paraqesë deklaratën përmbyllëse duke filluar nga ora 09:00.
Një ditë më parë, më 10 shkurt, Prokuroria e Specializuar përmbylli argumentet e saj, duke pretenduar se Thaçi ka mashtruar ndërkombëtarët në disa raste dhe se deklaratat e mbrojtjes duhet të trajtohen me rezervë sa i përket rolit të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve të saj.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë administruar mbi 5 mijë prova materiale dhe janë intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë. Kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim me nga 45 vite burg për secilin prej katër të akuzuarve.
Pas prokurorisë, fjalën e mbajti mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, i cili citoi dëshmi për dëmet e pretenduara dhe pasojat psikologjike që, sipas tij, disa viktima i vuajnë ende. Ai theksoi se, edhe nëse individë të UÇK-së kanë kryer krime, kjo nuk e bën organizatën në tërësi kriminale dhe kërkoi që zëri i viktimave të merret parasysh në vendimin e gjykatës.
Prokuroria, mbrojtësit e viktimave, ekipet mbrojtëse dhe të akuzuarit do të kenë mundësi gjatë kësaj dhe javës së ardhshme të paraqesin për herë të fundit argumentet e tyre. Pas kësaj faze, çështja kalon në shqyrtim nga trupi gjykues, i cili ka deri në tre muaj kohë për të marrë vendim ose për të kërkuar shtyrje afati.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën plenare të planifikuar për në orën 12:00, duke e zhvendosur në 17:00 për shkak të zhvillimeve në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023.

