BOTA /

Mori pjesë në vra*jen e 71 shqiptarëve në Vushtrri? Çfarë dihet për të arrestuarin për krime lufte

Sipas Policisë, ai kishte qenë zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Brendshme serbe.

Shkruar nga Versus

Mori pjesë në vra*jen e 71 shqiptarëve në Vushtrri?

R.D., i arrestuar më 12 shtator, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri më 1999, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, ai kishte qenë zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Brendshme serbe.

“Vepra penale është kryer gjatë periudhës kohore 22 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka marrë pjesë në privimin nga jeta-vrasjen e 71 civilëve shqiptarë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, u tha në njoftim.

Në deklaratën e lëshuar të premten nga Prokuroria Speciale dhe Policia u tha se R.D. dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile, por nuk u dhanë detaje të tjera se kur ishin kryer këto krime dhe ku.

Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa akuza për krime që janë kryer gjatë luftës më 1998-99.

Në gusht, ajo madje ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i dorëzoi lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. / REL

Poll