Ditët e fundit, reagimi i të dërguarit të Donald Trump për Misione të Posaçme Richard Grenell ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është vendosur në qendër të vëmendjes dhe shumë prej kundërshtarëve politikë e kanë konsideruar këtë të fundit si “antiamerikan”.
Lidhur me reagimin e bërë në rrjetin social “X”, një reagim e ka pasur edhe djali i presidentit amerikan, Donald Trump Junior i cili për të treguar pajtimin e tij me deklaratën e Grenell, e ka rishpërndarë postimin në profilin e tij.
Në postimin e bërë Grenell shprehej se qeveria e Kurtit nuk ka qenë dhe nuk është e besueshme as për administratën e Joe Biden dhe as për atë të Donald Trump. Sipas tij Kurti përpiqet të shfaqet si i afërt me SHBA-në, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri… dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen për të gjithë në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump-it, as gjatë mandatit të Biden-it. Si Republikanët ashtu edhe Demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Kështu kanë vepruar edhe BE-ja dhe NATO-ja. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit.
Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga Presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur tani nga Kurti, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ishte deklarata e Grenell, e ripostuar nga djali i Trump.
Përplasjet e Richard Grenell me Albin Kurtin datojnë që prej mandatit të parë të Donald Trump në pushtet, kur Grenell ishte i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi dhe u shpreh se marrëveshja ishte e pamundur për shkak të Kurtit duke e konsideruar këtë të fundit si antiamerikan.
Përplasjet e forta me Grenell sollën dhe rrëzimin e Albin Kurtit nga qeveria, në vitin 2020, pas një mocioni nga kundërshtarët politikë, që sipas tij, erdhi për shkak të pazareve për shkëmbim territorial me Serbinë. Rikthimi i Kurtit në pushtet, në shkurt të 2021-shit, rindezi sërish përplasjet e tij me Grenell, por këtë radhë ky i fundit ishte ish-emisar i SHBA në Ballkan. Versus.al








