Katër persona janë arrestuar në Kenia për përpjekje për të eksportuar ilegalisht disa mijëra milingona të gjalla për t'u shitur koleksionistëve në Evropë ose Azi. Kështu raporton transmetuesi RFI , sipas të cilit dy shtetas belgë u arrestuan në Nakuru, Kenia qendrore, ndërsa një vietnamez dhe një kenian u arrestuan në Nairobi.
Katër persona të arrestuar- Të katërt akuzohen për mbajtje pa leje dhe trafikim të kafshëve të egra të gjalla. David Lornoy dhe Lodewijckx Seppe, këta janë emrat e dy shtetasve belgë që ndodheshin në Kenia për të marrë pjesë në një safari, u ndaluan në Aeroportin Ndërkombëtar Jomo Kenyatta në Nairobi, teksa po përpiqeshin të hipnin në një avion me mbi 5000 ekzemplarë të milingonave "mbretëresha" të fshehura në epruveta laboratorike. Ata u deklaruan fajtorë për tregtimin e kafshëve të egra në kundërshtim me ligjet.
Së bashku me ta, një shtetas vietnamez, Duh Hung Nguyen, dhe një kenian, Dennis Ng'ang'a, u arrestuan gjithashtu me 300 milingona të tjera të fshehura në kontejnerë. Fotot e shpërndara nga autoritetet keniane tregojnë qindra epruveta dhe shiringa që përmbajnë milingona të gjalla, me topa pambuku për t'i mbajtur ato gjallë.
Kontrabanda e insekteve afrikane- Vlera e insekteve është rreth 7800 dollarë. Midis milingonave është Messor Cephalotes, një specie e milingonave shumë të çmuara nga koleksionistët.
Falë ngjyrës së saj të kuqe, madhësisë së mbretëreshës së saj që mund të arrijë 24 milimetra dhe aftësisë së saj për të formuar koloni shumë të mëdha. Në veçanti, milingonat gjigante afrikane mund të arrijnë deri në 220 dollarë secila në Britani. Në Kenia, kafshët e egra, përfshirë edhe insektet, mbrohen rreptësisht dhe çdo tregti me to kërkon leje, të cilat katër trafikantët e arrestuar nuk i kishin.
Autoriteti i menaxhimit të kafshëve të egra denoncoi atë që e quajti një "krim të rëndë" dhe një operacion "të paramenduar", duke vënë në dukje një "ndryshim shqetësues" në trafikimin e kafshëve. Në vitin 2023, tre persona u arrestuan në Kenia pasi u përpoqën të eksportonin ilegalisht milingonat në Francë.
Një ekosistem i brishtë- Sipas ekspertëve, këto milingonat luajnë një rol themelor në shëndetin e ekosistemeve lokale. "Ato ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së tokës, lehtësojnë rritjen e bimëve dhe sigurojnë një burim ushqimi për shumë kafshë të tjera," tha Philip Muruthi, nënkryetar i Fondacionit Afrikan të Kafshëve të Egra . "Shpesh, kur shikojmë një pyll të harlisur, harrojmë se janë insekte si këto që e mbajnë atë gjallë."
Por përtej ndikimit mjedisor, tregtia e paligjshme e insekteve paraqet gjithashtu rreziqe serioze për shëndetin publik. "Transporti i insekteve pa kontrollet e duhura mund të futë patogjenë në vendet importuese. Dhe edhe nëse do të kishte një treg të ligjshëm për këto kafshë, ai nuk mund të shndërrohet në një grabitje të burimeve tona natyrore," shtoi Muruthi./Versus.al








