BOTA /

'Ne dorëzuam çdo faturë'/ Ç'po ndodh me fondet? Akuza të forta ndaj platformës GoFundMe, po bllokon miliona dollarë ndihma për Gazën

Platforma u ka kërkuar organizatorëve të faqeve për Palestinën një “verifikim të detajuar”, shpeshherë duke kërkuar dokumente të ndjeshme dhe të vështira për t’u siguruar në kushte lufte, si ID personale, transferime bankare dhe të dhëna të partnerëve lokalë.

Shkruar nga Versus

 

'Ne dorëzuam çdo faturë'/ Ç'po ndodh me

Platforma e njohur GoFundMe është vënë në qendër të një furtune kritikash, pasi akuzohet për bllokimin e miliona dollarëve të mbledhur për ndihmë humanitare në Gaza.

Aktivistë, drejtues organizatash bamirëse dhe palestinezë në kushte të dëshpëruara thonë se platforma ka ndaluar ose fshirë faqe që mblidhnin ndihma për popullsinë e rrethuar nga lufta.

Sipas raportimeve të Al Jazeera, kompania nuk ka pranuar të bëjë publike shumat e sakta të fondeve të ngrira apo të rimbursuara.

Megjithatë, ajo konfirmoi se që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 e deri më tani, janë mbledhur mbi 300 milionë dollarë në platformë për qëllime që lidhen me Izraelin dhe Palestinën.

Një nga rastet më të rëndësishme është ai i organizatës britanike The Sameer Project, e cila kishte mbledhur mbi 1 milion dollarë për të ndihmuar të zhvendosurit në Gaza. Vetëm në një rast, GoFundMe ka rimbursuar rreth 250 mijë dollarë të mbledhur për këtë organizatë. Themeluesja Hala Sabbah thotë se faqja u mbyll pavarësisht dokumentacionit të plotë të ofruar dhe faktit se platforma përfitoi rreth 44 mijë dollarë nga tarifat e transaksioneve.

Ne dorëzuam çdo faturë, çdo provë të përdorimit të fondeve. Por sërish na mbyllën faqen dhe as nuk na lejuan të kemi akses te lista e donatorëve”, tha ajo. “Po grumbullojmë ndihma për fëmijë në rrezik për jetën, ndërsa të tjerët mbledhin fonde për ushtri, pa asnjë pengesë. Kjo është padrejtësi. Ata kanë gjak në duar.”

Platforma u ka kërkuar organizatorëve të faqeve për Palestinën një “verifikim të detajuar”, shpeshherë duke kërkuar dokumente të ndjeshme dhe të vështira për t’u siguruar në kushte lufte, si ID personale, transferime bankare dhe të dhëna të partnerëve lokalë.

Shumë faqe për Gazën janë pezulluar ose mbyllur, ndërsa mbledhjet për Izraelin ose Ukrainën nuk përballen me të njëjtin nivel kontrolli.

Një tjetër shembull është ai i dy vëllezërve palestinezë, Mostafa Abuthaher dhe Yahya Fraij, të cilëve u janë mbyllur dy herë faqet në GoFundMe. Ata kishin mbledhur mbi 12 mijë dollarë për familjet e tyre në al-Mawasi, një zonë në jug të Gazës e caktuar si “e sigurt”, por që është bombarduar rregullisht. GoFundMe u kërkoi dokumente shtesë dhe më pas e mbylli faqen.

Në Gaza, ku bankat janë shkatërruar dhe qarkullimi i parasë është i kufizuar, organizatat bamirëse përdorin rrugë alternative për të transferuar ndihmat, përmes pikash këmbimi lokale apo kriptomonedha. Këto mënyra janë shpesh e vetmja rrugë për të siguruar ilaçe, ushqime dhe ujë të pijshëm.

GoFundMe është kritikuar për fitimet e mëdha që merr nga fushatat, 30 cent për çdo donacion dhe 2.9% të shumës së mbledhur, edhe kur këto faqe më pas mbyllen pa një shpjegim të qartë.

Ndërkohë, organizata si The Sameer Project kanë shpërndarë mbi 800 mijë litra ujë, 850 çadra, ndihma financiare dhe trajtime mjekësore për qindra fëmijë në Gaza.

Kritikët thonë se platforma po pengon ndihmat për popullsinë civile në një nga krizat humanitare më të rënda të shekullit. Ndërkohë që ndihma ndërkombëtare po vonohet dhe situata po përkeqësohet, mbyllja e këtyre faqeve është një goditje e rëndë për mijëra jetë që varen prej tyre.

 

Tags:

go fund akuza

Poll