Mbrëmja e sotme ka shënuar një moment kritik në tensionet mes Iranit dhe Izraelit, teksa sirenat e alarmit kanë rënë në Jeruzalem dhe disa qytete të tjera izraelite, ndërsa raportohet se Irani ka nisur një sulm hakmarrës me raketa.
Sipas mediave ndërkombëtare, një numër raketash janë lëshuar nga Irani drejt territorit izraelit, ndërkohë që në Jeruzalem janë parë mbetje në ajër – të cilat dyshohet se i përkasin një rakete të interceptuar nga mbrojtja ajrore izraelite.
Dëshmitarët në Tel Aviv raportojnë se kanë dëgjuar shpërthime të forta dhe kanë parë një shtullungë të madhe tymi në pjesë të ndryshme të qytetit. Ende nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për mbetje të raketave të neutralizuara nga sistemi mbrojtës “Kupola e Hekurt” (Iron Dome), apo për goditje të suksesshme nga raketat iraniane.
Autoritetet izraelite nuk kanë dalë ende me një deklaratë zyrtare për natyrën dhe shkallën e dëmeve, por ndërkohë janë vendosur në gatishmëri të plotë. Forcat ajrore janë angazhuar në përgjigje të menjëhershme, ndërsa qytetarët janë udhëzuar të qëndrojnë në strehimore.
Ky zhvillim vjen si pjesë e një përshkallëzimi të paralajmëruar më herët nga Irani, i cili kishte premtuar hakmarrje pas sulmit në konsullatën iraniane në Damask – një akt për të cilin Teherani fajëson Izraelin. /Versus.al







