Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të mërkurën mbrëma se ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s garanci të forta sigurie për Kievin përpara çdo diskutimi mbi përfundimin e luftës me Rusinë. Deklarata e tij erdhi pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se do të mbështeste një zgjidhje diplomatike për konfliktin.
Në një postim në X, Zelensky tha se ai dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kishin diskutuar për kontaktet me partnerët ndërkombëtarë dhe për koordinimin e hapave të ardhshëm. “Ne nuk mund ta lejojmë që presidenti rus, Vladimir Putin, të mashtrojë botën sërish,” shkroi ai. “Përpara çdo negociate të mundshme, duhet të sigurohemi se ekzistojnë garanci të fuqishme sigurie për Ukrainën. Vetëm kështu mund të arrihet një paqe e qëndrueshme.”
Këto deklarata vijnë pas një takimi të rëndësishëm midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Riad, ku palët ranë dakord të punojnë për të adresuar faktorët që kanë tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të eksploruar rrugët drejt përfundimit të konfliktit.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se do të duhet kohë për të organizuar një takim me liderët perëndimorë, por nuk përjashtoi mundësinë e dialogut.
Nga ana tjetër, Zelensky ka paralajmëruar se bisedimet për një zgjidhje nuk duhet të fokusohen vetëm në një armëpushim të përkohshëm. “Duhet të ketë besim që pas disa muajsh apo vitesh, Putin nuk do të kthehet me luftën e tij,” theksoi ai.
Liderët ndërkombëtarë vazhdojnë të mbajnë kontakte të ngushta me Kievin, ndërsa çështja e sigurisë mbetet një prioritet kyç për të ardhmen e Ukrainës dhe stabilitetin e rajonit. /Versus.al/







