
Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump për mbështetjen e dhënë gjatë sulmit të fundit ndaj impianteve bërthamore iraniane.
Në një video-mesazh drejtuar publikut, Netanyahu e cilësoi rolin e SHBA-ve si “të pakrahasueshëm” dhe theksoi se “asnjë vend tjetër në botë nuk do të kishte mundur të vepronte kështu”.
“Në aksionin e kësaj mbrëmjeje kundër impianteve bërthamore iraniane, Amerika ka bërë atë që asnjë tjetër nuk do të mundej. Historia do ta kujtojë Trump-in si liderin që veproi për të parandaluar regjimin më të rrezikshëm në botë të zotëronte armët më të rrezikshme”, tha Netanyahu.
Sipas tij, udhëheqja e Trump ka shkruar një “faqe historie” që mund të sjellë stabilitet dhe zhvillim në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme. “Populli i Izraelit ju falënderon. Forcat e qytetërimit janë mirënjohëse. Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë aleancën tonë të palëkundur,” përfundoi Netanyahu./Versus.al







