Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të shtyjë përkohësisht vendosjen e tarifës 50% ndaj mallrave të importuara nga Bashkimi Evropian, duke i dhënë kohë negociatave për një marrëveshje tregtare.
Vendimi erdhi pas një bisede telefonike të dielën me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila, sipas Trump, kishte kërkuar “negociata serioze”.
“U thashë të gjithëve që deshën të më dëgjonin, se kjo duhej bërë,” deklaroi Trump para gazetarëve më 25 maj, në Morristown, Nju-Xhersi, përpara se të nisej drejt Uashingtonit.
Sipas tij, shtyrja e afatit synon t’i japë kohë të dy palëve për të arritur një kompromis në një klimë më të qetë politike dhe ekonomike.
Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen nënvizoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve ekonomike mes dy blloqeve.
“Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë marrëdhënien më të ngushtë dhe më të rëndësishme tregtare në botë,” tha ajo. “Evropa është e gatshme për përparim të shpejtë dhe vendimtar. Për të arritur një marrëveshje të mirë, do të na duhet kohë deri më 9 korrik.”
Tashmë vëmendja është e përqendruar tek tryeza e bisedimeve, ku fati i miliarda dollarëve në shkëmbime tregtare varet nga kompromiset që mund të arrihen në javët në vijim. Versus.al







