BOTA /

Përgjaken festimet për triumfin e PSG-së në Francë, 219 të plagosur dhe gati 800 të arrestuar

Një person humbi jetën, 57 policë mbetën të lënduar, ndërsa autoritetet mobilizojnë mijëra efektivë për paradën e fitores në Paris

Shkruar nga Versus

Përgjaken festimet për triumfin e PSG-së në Francë, 219

Festimet për fitoren e Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes tifozëve dhe forcave të rendit në disa zona të Francës, duke lënë pas qindra të plagosur dhe të arrestuar.

Sipas Ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, gjithsej 219 persona kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve, ndërsa tetë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Mes të plagosurve janë edhe 57 efektivë policie.

Autoritetet bëjnë të ditur se deri tani janë arrestuar 780 persona, ndërsa më shumë se 450 prej tyre janë vendosur në paraburgim për përfshirje në akte dhune dhe vandalizëm.

Një person humbi jetën gjatë natës pranë unazës së Parisit, në zonën e Porte Maillot. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por dëshmitarët kanë deklaruar se viktima, një 24-vjeçar, po drejtonte një motor kur u përplas me blloqe betoni të vendosura në rrugë. Ndërkohë, një adoleshent ndodhet në gjendje kritike pas një sherri në një tjetër zonë të kryeqytetit francez, megjithëse nuk është konfirmuar nëse ngjarja lidhet drejtpërdrejt me trazirat pas ndeshjes.

Përgjaken festimet për triumfin e PSG-së në Francë, 219

Për të parandaluar incidentet, autoritetet kishin vendosur mijëra efektivë policie në Paris. Megjithatë, menjëherë pas triumfit të PSG-së, mijëra tifozë pushtuan bulevardin e famshëm Champs-Élysées.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakadanë të ndezur, biçikleta elektrike të përfshira nga flakët dhe dëmtime të disa bizneseve. Në disa raste, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në qendër të qytetit.

Vetëm në Paris u kryen 480 arrestime, ndërsa 277 persona u dërguan në paraburgim. Mes tyre janë edhe 82 të mitur. Sipas Prokurorisë së Parisit, veprat për të cilat akuzohen të arrestuarit përfshijnë sulme ndaj policisë, dëmtim prone, vjedhje dhe posedim të paligjshëm armësh.

Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez deklaroi se shumica e tifozëve festojnë në mënyrë paqësore, por theksoi se një pjesë e trazirave shkaktohen nga individë që nuk kanë lidhje me futbollin.

“Shumica dërrmuese e njerëzve dalin për të festuar dhe gjithçka shkon mirë. Por ka individë që nuk janë tifozë të PSG-së dhe madje nuk e kanë ndjekur fare ndeshjen. Ata dalin vetëm për të shkaktuar trazira dhe ne do të jemi shumë të vendosur për t’i ndalur”, u shpreh ai.

Përgjaken festimet për triumfin e PSG-së në Francë, 219

Ngjarjet kanë shkaktuar reagime edhe në politikën franceze. Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, shkroi në rrjetet sociale se “vetëm në Francë fitorja e një klubi futbolli mund të shoqërohet me trazira të tilla”.

Ndërkohë, autoritetet kanë mobilizuar rreth 6 mijë policë për paradën e fitores që do të zhvillohet pranë Eiffel Tower. Futbollistët e PSG-së pritet të parakalojnë në zonën Champ-de-Mars dhe më pas të priten nga Emmanuel Macron në një ceremoni zyrtare.

Poll