Bashar al-Assad i strehuar në Moskë, la pas Sirinë , të cilën familja e tij e ka sunduar për më shumë se 50 vjet.
Tani në pushtet janë xhihadistët me të nesërmen që mbetet e panjohur, pasi revolucionarët nuk janë një grup i vetëm, por shumë fraksione që luftuan me qëllimin e përbashkët për të përmbysur regjimin.
Në vetëm dy javë, rebelët sirianë, të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), nisën një ofensivë, duke pushtuar qytetet kryesore dhe duke çuar në rënien e Damaskut. Kryengritësit, duke përdorur automjete të vogla dhe motoçikleta, përfituan nga rruga kryesore e vendit, duke përparuar me shpejtësi drejt Damaskut, të cilin e pushtuan pa rezistencë.
Operacioni i tyre filloi me kapjen e Alepos në fund të nëntorit dhe vazhdoi me qytetet Hama dhe Homs përpara se kryeqyteti të binte.
Sipas BBC , siç raportohet nga i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, përleshjet vazhdojnë në Sirinë verilindore midis forcave të mbështetura nga Turqia dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët. Në qytetin sirian të Manbijit, ku ditët e fundit kanë ndodhur përleshje të mëdha, tani raportohet se SDF-të po lejohen të tërhiqen në mënyrë të sigurt.
Duke cituar një burim të opozitës siriane, agjencia e lajmeve Reuters raporton se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje për tërheqjen e sigurt të SDF. Duke folur më herët në Ankara, presidenti turk Tajip Erdogan tha se Manbixhi ishte çliruar nga ata që ai i quajti "terroristë".
SDF ishte një aleat kyç i një koalicioni global të udhëhequr nga SHBA-ja që punoi për të dëbuar militantët e Shtetit Islamik nga Siria midis 2015 dhe 2019.
Pavarësisht rënies së regjimit të Asadit, Siria mbetet e fragmentuar. HTS tani kontrollon qytetet kryesore të vendit, por nuk është lojtari i vetëm në rajon. Kurdët dhe grupet e tjera rebele kontrollojnë zona të mëdha të Sirisë verilindore, ndërsa luftimet vazhdojnë midis fraksioneve rivale.
Harta e BBC tregon me të kuqe , të ashtuquajturit xhihadistët e HTS nën Jolanin. Në portokalli , grupe të ndryshme rebele të papërcaktuara politikisht. Me të verdhë , territoret e kontrolluara nga ushtria turke dhe rebelët që bashkëpunojnë me të. Forcat kurde në vjollcë të çelur .
Mungesa e një komande të unifikuar midis rebelëve dhe prania e shumë grupeve të ndryshme e bëjnë të vështirë ndërtimin e stabilitetit në vend.
Situata në Sirinë veriore mbetet e tensionuar, veçanërisht në Manbij, ku forcat kurde po përleshen me grupet e mbështetura nga Turqia.
Analistët nuk kanë mundur ende të përcaktojnë se kush e kontrollon qytetin, ndërkohë që luftimet vazhdojnë në disa lagje.
Manbixhi është një pikë strategjike, pasi lidh rajone të ndryshme të vendit dhe është i rëndësishëm për kontrollin e Sirisë verilindore. Qyteti pasqyron mosmarrëveshjen më të gjerë mbi kontrollin e veriut./Versus.al







