Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në gjykatën e Prishtinës ku u mbajt seanca paraprake ndaj Faton Klinakut, ish-sekretarit të UÇK-së i cili akuzohet për kanosje ndaj Kurtit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut për veprën penale “Kanosja”. E njëjta akuzë është ngritur edhe ndaj një të pandehuri tjetër me inicialet N.S.
“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar – tani të dëmtuarin A.K. – në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese,” ka njoftuar Prokuroria.
Përmes një postimi në Facebook, Klinaku nga OVL e UÇK-së kishte thënë se “më përpara e vras Albin Kurtin sesa iki nga Kosova”.
“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë! Prapë po e përsëris pra, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: “Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, kishte shkruar Klinaku. Versus.al







