
Polonia dhe Italia konfirmuan të mërkurën se nuk do t’i bashkohen Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, duke u shtuar listës së aleatëve të Uashingtonit që qëndrojnë në distancë nga iniciativa.
Fillimisht i projektuar për të mbështetur armëpushimin në Gaza, Trump synon që bordi të ketë një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve globale, gjë që ka ngjallur shqetësime tek disa vende perëndimore, të cilat e shohin si një mundësi për sfidimin e rolit të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se Polonia nuk do të përfshihet për shkak të dyshimeve kombëtare mbi formën dhe kompetencat e bordit, por shtoi se vendi nuk përjashton ndonjë skenar në të ardhmen.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi se Italia nuk mund t’i bashkohet për shkak të pengesave kushtetuese, pasi statuti aktual i bordit i jep Trump kompetenca të gjera ekzekutive që nuk garantojnë barazinë me shtetet anëtare.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka marrëdhënie të afërta me Trump, kishte kërkuar më parë ndryshimin e kushteve të Bordit të Paqes për të mundësuar pjesëmarrjen e Italisë, por deri tani kjo nuk është realizuar. Megjithatë, Roma është e gatshme të kontribuojë në përpjekje të tjera ndërkombëtare për sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme./Versus.al

