Një incident i rëndë ka tronditur Paris-in gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës, kur një apartament u shemb gjatë një feste, duke lënë pas 20 persona të plagosur, mes tyre një në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve franceze, në momentin e ngjarjes rreth 50 persona ndodheshin në një apartament në katin e pestë të një pallati në rrugën Amelot, në rrethin e 11-të të kryeqytetit. Për arsye ende nën hetim, dyshemeja e apartamentit u shemb dhe ra mbi apartamentin e katit të mëposhtëm.

Mobilizim i madh i emergjencave
Zjarrfikësit e Parisit u njoftuan pak pas mesnatës dhe në vendngjarje u angazhuan 145 zjarrfikës me 45 mjete, si dhe ambulanca të shumta, për të ndihmuar të lënduarit dhe për të siguruar zonën.
Nga të plagosurit, 19 persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa gjendja e tyre po vlerësohet për të vendosur nëse do të transportohen në spital.
Jo rrjedhje gazi, por problem strukturor
Sipas hetimeve paraprake, shembja ka qenë strukturore dhe nuk lidhet me ndonjë rrjedhje gazi, bëjnë me dije shërbimet e emergjencës franceze. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit.
Ngjarja ka shkaktuar panik dhe shqetësim të madh mes banorëve të zonës, ndërsa pallati është vënë nën monitorim për arsye sigurie.

