
Shkupi pritet të vishet sot kuqezi, në një ditë të veçantë për shqiptarët, të cilët do të protestojnë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po gjykohen në Hagë.
Tubimi do të nisë në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu”, dhe pritet të mbledhë qytetarë nga Shkupi dhe trevat përreth. Protesta është përkrahur nga një numër i madh figurash politike shqiptare në rajon, ndërsa për ish-luftëtarët e UÇK-së është bërë thirrje të mos marrin pjesë për shkak të rrezikut të mundshëm të arrestimit.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe kundërshtimin e akuzave që, sipas tij, janë të fabrikuara dhe të motivuara politikisht nga Serbia dhe Rusia.
“Në orën 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara. Dalim me përgjegjësi për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë,” është shprehur Ahmeti.
Mbështetje për protestën ka ardhur edhe nga Prishtina. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi po ngre zërin për drejtësi.
“Kjo është një thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull. Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët që sot protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të UÇK-së, si vlerë e patjetërsueshme kombëtare,” ka shkruar Rama.
Ndërkohë, Sekretari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka lëshuar një thirrje të veçantë për ish-ushtarët e UÇK-së që të mos marrin pjesë në protestë, për shkak të rrezikut të arrestimit nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.
“Ne i këshillojmë luftëtarët tanë të UÇK-së të mos e marrin atë rrugë, sepse nuk kemi garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit,” tha Syla.
Protesta në Shkup ka nxitur debate politike në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk e ka mbështetur tubimin, duke e cilësuar organizimin si një “lëvizje të gabuar”. Ai ka bërë të ditur se është formuar edhe një shtab krize, për të garantuar që protesta të zhvillohet pa incidente. OVL-UÇK e ka vlerësuar këtë deklaratë si përpjekje për krijim të tensioneve të panevojshme.
Kjo protestë është e pesta me radhë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas tubimeve të mbajtura më herët në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasbourg.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 dhe janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa mbrojtja e tyre ka ngritur akuza për anshmëri në procesin gjyqësor./Versus.al

