
Rezultati i zgjedhjeve në Venezuelë ka sjellë reagime të ashpra nga ana e qytetarëve të cilët janë mbledhur për të protestuar. Forcat e sigurisë ndërhynë për të shuar protestën, duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke qëlluar me plumba gome ndaj protestuesve.
Mijëra njerëz zbritën në Karakasin qendror të hënën në mbrëmje, disa duke ecur për kilometra nga lagjet e varfra në malet që rrethojnë qytetin, drejt pallatit presidencial.
Protestat shpërthyen në kryeqytetin e Venezuelës një ditë pasi presidenti Nicolás Maduro pretendoi se kishte fituar. Opozita e ka kundërshtuar shpalljen e fitores së Maduro si manipulim, duke thënë se kandidati i saj Edmundo González fitoi bindshëm me 73.2% të votave.
Sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve sugjeruan një fitore të qartë për kundërshtarin. Partitë opozitare ishin bashkuar pas González në një përpjekje për të rrëzuar presidentin Maduro pas 11 vitesh në pushtet, mes pakënaqësisë së përhapur për krizën ekonomike të vendit.
Një numër vendesh perëndimore dhe të Amerikës Latine, si dhe organizma ndërkombëtarë, përfshirë OKB-në, u kanë bërë thirrje autoriteteve venezueliane që të publikojnë të dhënat e votimit nga qendrat e votimit individual. Argjentina është një vend që ka refuzuar të njohë fitoren zgjedhore të presidentit Maduro, dhe si përgjigje Venezuela ka tërhequr diplomatët nga Buenos Aires.
Diplomatët nga gjashtë vende të tjera të Amerikës Latine - Kili, Kosta Rika, Panamaja, Peruja, Republika Domenikane dhe Uruguai anë tërhequr gjithashtu.
Qytetarët kërkojnë rrëzimin e qeverisë së Maduros dhe dogjën postera të tij të vendosur në rrugë të ndryshme të qytetit. Ndërsa vetë Maduro i akuzoi protestuesit si “puçistë”. Rezultati i zgjedhjeve në Venezuelë u kontestua edhe nga SHBA. Versus.al








