Detaje të tjera janë zbardhur para takimit që do të mbahet më 15 gusht në Alaska mes Trumpit dhe Putinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Mësohet se presidenti rus, Vladimir Putin thuhet se i ka paraqitur të dërguarit amerikan, Steve Witkoff një propozim gjithëpërfshirës për armëpushim, duke ofruar ndalimin e luftës në këmbim të rajoneve lindore të Ukrainës.
Informacioni është publikuar nga “The Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë evropianë dhe ukrainas.
Edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se bisedimet mes Witkoff dhe Putinit nuk sollën ndonjë përparim në negociatat për paqe, ai njëkohësisht ka njoftuar se do të takohet me liderin rus më 15 gusht në Alaska, takim ky që do të jetë i pari ballë për ballë mes tyre.
Kushtet e Putinit për armëpushim
Sipas zyrtarëve evropianë të informuar mbi bisedimet, Putin i ka thënë Witkoffit se Rusia do të pranonte një armëpushim të plotë nëse Kievi do të tërhiqte forcat e veta nga rajoni i Donetskut. Kjo do t’i siguronte Moskës kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk, si dhe Krimenë.
Plani me dy faza:
Faza e parë përfshin tërheqjen e trupave ukrainase nga Donetsku dhe ngrirjen e vijës së frontit.
Faza e dytë do të përfshinte një marrëveshje përfundimtare paqeje mes Trump dhe Putin, për të cilën do të negociohej më pas me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Trump duket se është i hapur për një mundësi të tillë. Në një konferencë shtypi, ai deklaroi se marrëveshja e paqes ndoshta do të përfshinte një “shkëmbim territori”.
“Po flasim për territore për të cilat luftohet tashmë prej tre vitesh e gjysmë… Pra, po e shqyrtojmë këtë çështje, por duam të marrim diçka mbrapsht. Njëfarë shkëmbimi, është e ndërlikuar. Diçka do të marrim. Diçka do të japim. Do të ketë disa shkëmbime territoresh që i shkojnë për shtat të dyja palëve”, shtoi ai, pa sqaruar se çfarë kuptonte saktësisht me “shkëmbim”.
Presion ndaj Kievit
Trump deklaroi gjithashtu se Zelensky do të duhet të përgatitet për të nënshkruar diçka, pa dhënë detaje për kushtet e mundshme. Ndërkohë, edhe Bloomberg ka raportuar se zyrtarë amerikanë dhe rusë po punojnë për një marrëveshje territoriale me synimin për të ngrirë konfliktin.
Zyra e presidentit ukrainas ende nuk ka reaguar zyrtarisht, por një zyrtar ukrainas që mori pjesë në bisedimet me Witkoffin i tha WSJ-së se Kievi nuk është kundër asnjë propozimi, por theksoi se armëpushimi është një parakusht për çdo hap të mëtejshëm. Rusia ka paraqitur edhe më herët kërkesa maksimaliste, përfshirë heqjen dorë nga NATO-ja dhe tërheqjen e forcave nga katër rajone. Versus.al







