
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka habitur opinionin publik me ftesën e tij drejtuar homologut ukrainas Volodymyr Zelenskyt, të cilin e ftoi për një takim në Moskë duke i premtuar siguri.
"Nëse Zelensky është gati për një takim, le të vijë në Moskë. I premtoj se do të jetë i sigurt", tha Putin, sipas një përkthimi të komenteve të lëshuara nga Kina, ku u takua me Presidentin Kinez Xi Jinping dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un për një paradë ushtarake që përkujtonte 80-vjetorin e Luftës së Dytë Botërore.
Nuk ka vonuar as përgjigjia e Zelenskyt i cili tha se vetë ftesa e bërë nga Putin tregon se ai nuk dëshiron të ketë negociata, pasi Rusia është vendi i fundit ku ai mund të shkonte për takim.
"Siç e shoh unë, nëse qëllimi juaj është të parandaloni një takim, atëherë ftesa ime në Moskë është rruga e duhur"- u shpreh Zelensky pas samitit të mbajtur dje në Paris për Ukrainën.
Mosmarrëveshja mbi vendet e takimit pasqyron tensione më të gjera mbi bisedimet e paqes midis dy udhëheqësve. Putin kishte deklaruar më parë se çdo takim me Zelenskyn do të ndodhte vetëm "në fazën përfundimtare të negociatave". Presidenti ukrainas ka nxitur vazhdimisht bisedime ballë për ballë për t'i dhënë fund konfliktit, ndërsa Putin ka vënë në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt për të negociuar.
Shumë vende kanë ofruar të presin bisedime të mundshme paqeje midis dy udhëheqësve, sipas Ministrit të Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha. Pavarësisht mosmarrëveshjes mbi vendndodhjen, Zelensky pranoi se gatishmëria e Putinit për të diskutuar një takim përfaqëson përparim, duke e quajtur "jo keq" që Rusia ka filluar të diskutojë mundësi të tilla. Versus.al







