Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se çdo vendim nga Shtetet e Bashkuara për të furnizuar Ukrainën me raketa lundruese Tomahawk do të çonte në një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit dhe do të shkatërronte marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit.
“Kjo do të çojë në shkatërrimin e marrëdhënieve tona, ose të paktën në prishjen e trendeve pozitive që kanë filluar të shfaqen në këto marrëdhënie,” deklaroi Putin në një videoklip të publikuar të dielën nga gazetari i televizionit shtetëror rus, Pavel Zarubin.
Deklarata e liderit rus vjen në një moment delikat të marrëdhënieve ndërkombëtare, me përplasjet në Ukrainë që po intensifikohen dhe tensionet me NATO-n që sa vijnë e thellohen. Vetëm dy muaj më parë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte takuar me Putinin në një samit në Alaska, por situata duket se ka marrë një drejtim të kundërt me atë të dialogut.
Forcat ruse kanë përparuar në Ukrainë, ndërsa dronët rusë janë raportuar të kenë hyrë në hapësirën ajrore të NATO-s. Nga ana tjetër, Uashingtoni po shqyrton mundësinë e furnizimit të Kievit me armë me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin objektiva thellë në territorin rus, përfshirë edhe Moskën.
Sipas zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, një kërkesë nga pala ukrainase për furnizim me raketa Tomahawk është duke u shqyrtuar nga administrata Trump. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, “Wall Street Journal” raportoi se SHBA pritet të ndihmojë Ukrainën me informacione të detajuara për objektiva të infrastrukturës energjetike brenda Rusisë. Dy zyrtarë amerikanë e konfirmuan këtë për agjencinë “Reuters”.
Megjithatë, tre burime të tjera dhe një zyrtar i lartë amerikan kanë theksuar për Reuters se dërgimi i raketave Tomahawk mund të mos jetë praktikisht i mundur për shkak të mungesës së stokut të lirë, pasi ato janë të dedikuara për përdorim nga Marina Amerikane.
Raketat Tomahawk, me një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash, mund të godasin objektiva të rëndësishme në brendësi të territorit rus, duke e përfshirë të gjithë Rusinë evropiane në shënjestër.
Putin theksoi se përdorimi i këtyre raketave do të kërkonte pjesëmarrjen direkte të personelit ushtarak amerikan, gjë që do ta kualifikonte këtë veprim si një ndërhyrje të hapur në luftë.
“Ky do të ishte një hap drejt një faze cilësisht të re të përshkallëzimit, e cila do të ketë pasoja shumë serioze,” paralajmëroi ai.
Përplasja e re diplomatike mes dy fuqive të mëdha vjen në një kohë kur përpjekjet për dialog duken më të zbehta se kurrë dhe retorika luftënxitëse vazhdon të intensifikohet në të dy anët e Atlantikut.







