
Gjykata e Dytë Ushtarake Perëndimore në Moskë dënoi të martën 42-vjeçaren Yulia Lemeshchenko me 19 vjet burg për akuzat e tradhtisë, terrorizmit, sabotimit dhe përgatitjes së një sulmi terrorist në Rusi.
Sipas mediave ruse, Lemeshchenko u zhvendos nga Voronezh në Kharkiv në vitin 2014 së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj, dhe më pas filloi të merrej me peshëngritje. Në vitin 2021, ajo u shpall kampione e Ukrainës në kategorinë e peshës 57 kg.

Në pranverën e vitit 2024, Lemeshchenko mori trajnim në qitje, operim me dronë dhe prodhim eksplozivësh në Kiev, para se të udhëtonte në Rusi përmes vendeve të treta. Në tetor të po atij viti, ajo hodhi në erë shtyllat e energjisë elektrike pranë Shën Petersburgut dhe ndoqi komandantin e bazës ajrore, kolonel Alexei Loboda, i lidhur me bombardimet në Kharkiv. Ajo u arrestua në janar 2025.

Rrëfimi i saj për humbjet dhe motivin moral
Lemeshchenko pranoi veprimet që i atribuohen, por theksoi se nuk e konsideronte veten fajtore “moralisht”. Në gjykatë ajo përshkroi humbjet e mëdha që pati në Kharkiv, duke përfshirë miq dhe të afërm të vrarë gjatë bombardimeve ruse:
“Në Kharkiv, në lagjen Saltovka Veriore, rreth 500,000 njerëz jetonin aty. Disa miq të mi, përfshirë parukieren time, jetonin aty. Pas bombardimeve nuk mbeti asnjë shtëpi e paprekur. Pati shpërthime pranë ndërtesës sime, fqinja ime dhe djali i saj katërvjeçar jetonin në katin e parë… Nuk e di nëse janë gjallë.”
Ajo shtoi se zgjedhja për të luftuar kundër agresionit rus nuk ishte e lehtë:
“Në çdo luftë, njerëzit ose luftojnë, ose ikin. Nuk e konsideroj veten frikacak. Vendosa të luftoj kundër agresionit rus. Nderi dhe ndërgjegjja ime janë më të rëndësishme për mua.”
Veprimet e sabotimit dhe hetimi
Sipas dokumenteve të gjykatës, Lemeshchenko u përfshi në sabotim të shtyllave të energjisë elektrike, përgatiti bomba dhe udhëtoi nëpër vende të treta për të përfunduar misionet e saj. Ajo mori gjithashtu pagesa për punën e kryer, duke përfshirë 1.5 mijë dollarë dhe mbi 300,000 rubla.
Lemchenko theksoi se qëllimi i saj ishte të ndërpriste energjinë elektrike në fabrikën e prodhimit të dronëve, dhe jo të dëmtonte civilët rusë. Ajo raportoi gjithashtu presion fizik dhe kërcënime nga oficerët e FSB-së gjatë hetimit, por nuk tërhoqi rrëfimin e saj.
Gjykatësi Krasnov në fund vendosi dënimin prej 19 vjetësh, duke marrë parasysh gravitetin e veprimeve, por jo rrëfimin e saj për motivet morale dhe mbrojtjen e shtëpisë dhe qytetit të saj në Ukrainë./ Versus
