Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar detaje të reja nga takimi 7-orësh që zhvilluan Edi Rama dhe zv.kryeministrja e pezulluar, Belinda Balluku, dy ditë më parë në Kryeministri. Sipas postimit të Berishës në Facebook, Balluku ka kërkuar me forcë që të mos emërohej askush tjetër në vendin e saj, duke deklaruar:
“Më jep kohë se e zgjidh vetë në Gjykatën e Lartë, mos emëro dikë tjetër në vendin tim.”
Berisha ngriti gjithashtu pyetje të forta për një lidhje të mundshme mes SHISH dhe Gjykatës së Lartë, duke aluduar për ndërhyrje në favor të Ballukut dhe të tjerëve. Në postimin e tij, Berisha shkruan:
“Vlora Hyseni në krah të Lubisë! A ka ndërhyrë SHISH personalisht tek 5 gjyqtare të GJL për të favorizuar Llagamin me porosi të kryeministrit dhe a do përdorë këtë shantazh edhe për Belën?”
Në të njëjtën kohë, SPAK ka lënë në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe ministrisë së Infrastrukturës. Përveç saj, ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, është vendosur masa “arrest shtëpie”.
Seanca e zhvilluar sot në GJKKO përfshiu marrjen në pyetje të të pandehurve dhe verifikimin e kushteve të masave të sigurisë. Balluku, e cila nuk bëri deklarata për mediat, është nën hetim për tenderin e “Tunelit të Llogarasë” dhe projektin e “Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
