Në dosjen e SPAK për Belinda Ballukun, dokumentohen udhëzimet e ministres ndaj Ervis Berberit për të penguar pjesëmarrjen e disa kompanive në tenderët publikë. Një nga rastet më të qarta është ai i firmës së konsulencës “Civil Cons”, të cilën Balluku e lidh me deputetin demokrat Lefter Gështenja.
Sipas komunikimeve, më 28 tetor 2021, ministrja i kërkon Berberit që kompania të mos marrë më asnjë punë në territorin e Shqipërisë. “Mos ta shoh të marrë tjetër punë në Republikën e Shqipërisë”, urdhëron Balluku, ndërsa Berberi i përgjigjet se “është e lehtë”.
Në datën 28.10.2021, në orën 12:44, në aplikacionin "WhatsApp", shtetasja Belinda Balluku i përcjellë (forward) shtetasit Evis Berberi mesazhin "Civil Cons".
Në orën 12:44, Evis Berberi: "?". Në orën 12:44, Belinda Balluku i përcjellë (forward) shtetasit Ervis Berberi mesazhin "Ka dhe nje firme konsulence per projektim supervizim me korab alikon. Jane supervizor tek porto romanо". Në orën 12:45, Evis Berberi: "Po jane te Porto romano".
Në orën 12:45, Belinda Balluku: "Kte e ka Lefter Geshtenja, deputet I librazhdit I PD". Në orën 12:46, Evis Berberi: "Ok". Më pas, në orën 12:48, në aplikacionin "Signal Private Messenger", shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin "Urgjente apo ne te ardhmen?".
Në orën 12:50, Belinda Balluku: "Jo, jo po mos ta shoh te marr tjeter pune ne rep e shqiperise". Në orën 12:50, Evis Berberi: "Eshte e lehte".
Në mesazhet e përfshira në dosje, Balluku dhe Berberi diskutojnë gjithashtu edhe për një tjetër firmë konsulence për projektim dhe supervizim, ku Balluku thekson se është e lidhur me Lefter Gështenjën dhe përmend supervizorët tek Porto Romano. Përgjigjet e Berberit dhe mesazhet e mëtejshme tregojnë qartësisht se kërkesa e ministres është marrë parasysh dhe do të zbatohet.
Nga hetimet rezulton se administratori i kompanisë është Korab Aliko, ndërsa ortak është Rezart Haxhiu. Ortakët themelues të firmës, me objekt studim dhe projektim të ndërtimeve të ndryshme, kanë qenë Korab Aliko dhe Lefter Gështenja, secili me 50% të kapitalit. Megjithatë, në vitin 2019, Gështenja është larguar nga drejtimi i kompanisë dhe i ka dhuruar aksionet e tij, duke e lënë Alikon si administrator të vetëm.
Ky rast, sipas SPAK, tregon mënyrën se si ministrja ka ushtruar ndikim në procedurat e prokurimeve, duke favorizuar ose penguar pjesëmarrjen e operatorëve të caktuar në tregun publik.
