BOTA /

"S'është puna jonë", Trump mendon të tërhiqet nga negociatat për luftën në Ukrainë! Fajëson liderët e BE

Këshilltarët e Donald Trump sulmojnë udhëheqësit e BE-së për ngritjen e pritjeve jorealiste në Kiev

Shkruar nga Versus
"S'është puna jonë", Trump mendon të
Vladimir Putin dhe Donald Trump

Dy javë pas samitit të mesit të gushtit midis Trump dhe Putin në Alaska, në një intervistë të premten me gazetën konservatore Daily Caller, presidenti amerikan pranoi se një takim dypalësh midis udhëheqësve rusë dhe ukrainas duket i pamundur . "Ne shkojmë mirë me njëri-tjetrin. E keni parë, kemi pasur një marrëdhënie të mirë për vite me radhë, një marrëdhënie shumë të mirë", tha ai për veten dhe Putinin. "Kështu që mendova vërtet se mund ta bënim. Do të më kishte pëlqyer kjo. Ndoshta duhet të luftojnë edhe pak. Vazhdoni të luftoni si budallenj."

Gjatë gjithë javës së kaluar, Trump duket se e ka minimizuar rolin e tij në ndërmjetësimin e paqes në Ukrainë, duke deklaruar pas telefonatës së tij me Putinin në prag të samitit të tij me Zelenskyn dhe evropianët më 18 gusht se kishte filluar organizimin e takimit dypalësh ruso-ukrainas.

"Duhen dy persona për të kërcyer tango", u tha ai gazetarëve të hënën e kaluar. Dhe të martën, në mbledhjen e kabinetit të tij, ai ishte dukshëm i frustruar nga kjo çështje: "Është e gjitha një pozë, është e gjitha budallallëk ".

Të enjten, pas njërit prej sulmeve më të dhunshme ruse kundër Ukrainës, i cili vrau 25 persona, përfshirë katër fëmijë, dhe goditi selinë e delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit Britanik, zëdhënësja e tij Karoline Leavitt tha se Trump "nuk është i lumtur për këtë lajm, por as nuk është i befasuar" dhe se po i ndjek zhvillimet "nga afër".

Të premten, duke folur me Daily Caller, Trump përsëriti se një takim trepalësh midis tij, Putinit dhe Zelensky-t (i cili kishte qenë ideja e tij fillestare, përpara se të kalonte në një takim dypalësh më 18 gusht) mund të ndodhte ende: "Nuk e di për një takim dypalësh, por një takim trepalësh, po. Por ndonjëherë njerëzit nuk janë gati. Kam përdorur një analogji disa herë: ka dy fëmijë në shesh lojërash, ata e urrejnë njëri-tjetrin dhe fillojnë të zihen, dhe ti do që ata të ndalen, por ata vazhdojnë të zihen. Pas një kohe, ata janë të lumtur të ndalen... Ndonjëherë kështu është."

Pyetja tashmë është nëse Trump do të vendosë të tërhiqet nga roli i ndërmjetësit mes Rusisë dhe Ukrainës apo do të vendosë sanksione dytësore (ato "pasoja të rënda" që kishte premtuar nëse Putini do të refuzonte armëpushimin). Sekretari i tij i Shtetit, Marco Rubio,  tha disa javë më parë se sanksionet janë ende në tryezë dhe se Trump po heziton vetëm sepse vendosja e tyre do të pengonte "përpjekjet për paqe".

Sipas CNN dhe Axios, presidenti po e merr seriozisht në konsideratë mundësinë të tërhiqet nga përpjekjet diplomatike dhe të "qëndrojë në pritje" derisa palët e përfshira të tregojnë "më shumë fleksibilitet". Nuk është e qartë nëse ekziston një afat: ultimatume të përsëritura nuk janë respektuar. Të premten, më 22 gusht, Trump tha se do ta dijë brenda "dy javësh" (një afat që shpesh është përmendur dhe më pas kaluar pa pasoja) nëse Rusia është serioze për negociatat. Po atë ditë ai sugjeroi se mund të tërhiqet plotësisht nga ndërmjetësimi pas afatit dyjavor: "Do të marr një vendim për atë që do të bëjmë, një vendim shumë të rëndësishëm që do të ketë të bëjë nëse do të vendosim sanksione masive ose tarifa masive ose të dyja bashkë, ose nuk do të bëjmë asgjë dhe do të themi: kjo është beteja juaj".

Sipas Axios, disa këshilltarë të Trump në Shtëpinë e Bardhë fajësojnë liderët evropianë për dështimin e negociatave me Putinin, jo vetë liderin rus, duke i akuzuar ata se shtiren sikur janë pro përpjekjeve për paqe por prapa skenave minojnë përparimin, duke e inkurajuar Zelenskyn të ushqejë pritshmëri joreale mbi territoret dhe të mbajë shpresën për një "marrëveshje më të mirë". Një zyrtar amerikan i tha Axios se "britanikët dhe francezët kanë qenë konstruktivë", por "vendet e tjera evropiane duan që SHBA të marrë mbi vete të gjithë koston e luftës ndërkohë që ata nuk janë të gatshëm të ekspozohen".

Pjesë të ndryshme të "bazës" e shtyjnë Trumpin në drejtime të kundërta. Faksioni nacionalist-populist "Maga" argumenton se vazhdimi i përfshirjes në Ukrainë nuk është "Amerika e Para". Në Daily Caller, që ia vuri në dukje këtë Trumpit, ai këmbënguli se është i gatshëm të "ndihmojë Evropën" me mbështetje ajrore si garanci sigurie për Ukrainën.

"Nuk është lufta jonë", pranoi presidenti, por "nuk na kushton asgjë". Dhe lavdëroi faktin që NATO po paguan për armët amerikane të dërguara në Kiev./Corriere della sera

Poll