Një postim tronditës në rrjetet sociale, që përmend vajzën 7-vjeçare të kryeministres italiane Giorgia Meloni, Ginevra, ka shkaktuar reagime të ashpra në Itali. Mesazhi, që qarkulloi së fundmi në Facebook, e krahason fatin e saj me atë të Martinas Carbonaro – një vajzë e re që u vra në qytetin Afragola. Në postim shkruhej: "I uroj vajzës së Melonit të njëjtin fat si asaj vajzës nga Afragola."
Ky mesazh u bë publik për mediat pas reagimit të fortë që erdhi nga Galeazzo Bignami, kreu i grupit parlamentar të Fratelli d’Italia (partia e Melonit), i cili denoncoi menjëherë postimin. Sipas agjencisë së lajmeve "Dire", autor i postimit dyshohet të jetë një punonjës i Ministrisë së Arsimit (Miur) – ndoshta një mësues ose punonjës shkollor – që jeton në zonën e Riva del Garda.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka urdhëruar nisjen e hetimeve për të identifikuar dhe ndëshkuar autorin e këtij mesazhi, të cilin ai e cilësoi si "kërcënim të neveritshëm që nuk meriton asnjë tolerim."
Reagime të forta nga qeveria italiane
Reagimet nga figurat më të larta të shtetit italian ishin të menjëhershme dhe të forta. Vetë Bignami shkroi në rrjetin social X (ish-Tëitter):
"Niveli i urrejtjes ndaj Giorgia Melonit dhe vajzës së saj është i papranueshëm. Nuk mjafton më solidariteti: tani duhet një reagim shembullor. Kritika politike është një gjë, por urrejtja ndaj fëmijëve nuk mund të ketë vend në shoqëri."
Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, e quajti këtë akt një "barbari të ulët dhe mizore ndaj një fëmije", ndërsa ministrja për Barazi Gjinore, Eugenia Roccella, komentoi me ironi:
"A janë vallë këta që shkruajnë gjëra të tilla ata që duan të na japin leksione mbi respektin dhe edukimin e fëmijëve tanë?"
Zëvendëskryeministri Antonio Tajani e dënoi ashpër aktin:
"Të sulmosh një fëmijë është akt burracak. Jam i tmerruar që dikujt mund t’i ketë shkuar një gjë e tillë në mendje."
Ministrja e Universitetit dhe Kërkimeve, Anna Maria Bernini, shtoi:
"Është çnjerëzore t’i urosh një fëmije një fat tragjik si ai i një viktime të pafajshme. Është kaluar çdo kufi i respektit dhe i qytetarisë."







