
U la paraplegjike pas një tentative vetëvrasjeje, ndërsa më parë kishte rrëfyer se ishte përdhunuar disa herë
Historia e 25-vjeçares spanjolle Noelia Castillo ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe më gjerë, pasi ajo i dha fund jetës përmes eutanazisë pas një historie të gjatë dhune, traumash dhe problemeve të rënda shëndetësore.
Në intervistën e saj të fundit para se t’i nënshtrohej vetëvrasjes së asistuar në një qendër speciale në Barcelonë, e reja tregoi se kishte qenë viktimë e sulmeve seksuale disa herë gjatë jetës së saj.
Sipas rrëfimit të saj, sulmi i parë kishte ndodhur nga i dashuri i saj i atëhershëm, me të cilin kishte pasur një lidhje katërvjeçare.
Më pas, ajo tregoi se dy burra kishin tentuar ta abuzonin në një klub nate.
Sulmi i tretë, sipas saj, ishte një përdhunim në grup nga tre persona në një ambient argëtimi në tetor të vitit 2022.
Pas kësaj ngjarjeje, më 4 tetor 2022, e reja, pasi kishte përdorur kokainë, u hodh nga kati i pestë i një ndërtese, një veprim që e la paraplegjike dhe i ndryshoi përgjithmonë jetën.
Sipas raportimeve mediatike, kërkesa e saj për eutanazi u miratua pasi u vlerësua se ajo vuante nga paraplegjia, depresioni kronik, çrregullimi i ankthit dhe depresionit, çrregullimi obsesiv-kompulsiv dhe çrregullimi kufitar i personalitetit.
Fjalët e fundit para vdekjes
Momentet e fundit të jetës së saj kanë qenë veçanërisht prekëse. Noelia zgjodhi të vdiste pa praninë e familjes në dhomë. Të afërmit e saj qëndruan me të rreth 30 minuta para procedurës, duke u përpjekur deri në fund ta bindnin të ndryshonte mendje.
Fjalët e saj të fundit për familjen thuhet se ishin:
“Dua të iki tani në paqe dhe të ndaloj së vuajturi.”
Ajo u kërkoi familjarëve të largoheshin nga dhoma para se mjekët të nisnin procedurën, duke thënë se nuk donte që ata ta shihnin në momentet e fundit të jetës. Procedura zgjati rreth 15 minuta dhe përfshinte një qetësues dhe tre injeksione.
Historia e saj ka hapur një debat të madh në Spanjë për eutanazinë, shëndetin mendor dhe mbështetjen për viktimat e dhunës seksuale, ndërsa shumë njerëz e kanë cilësuar rastin e saj si një histori tragjike të një jete të shkatërruar nga dhuna dhe trauma.

