BOTA /

“Plumbat nuk ndaleshin, nuk i jepnim dot ndihmën e parë”, polici rrëqeth me deklaratën për sulmin terrorist në Banjskë

Shaqiri përshkroi ngjarjen si një nga situatat më të rënda dhe më të rrezikshme me të cilat është përballur ndonjëherë gjatë jetës dhe karrierës së tij.

Shkruar nga Versus

“Plumbat nuk ndaleshin, nuk i jepnim dot ndihmën e parë”,

Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin “Banjska”, dëshmoi polici Çlirim Shaqiri, i cili ishte i pranishëm në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Shaqiri përshkroi ngjarjen si një nga situatat më të rënda dhe më të rrezikshme me të cilat është përballur ndonjëherë gjatë jetës dhe karrierës së tij. Ai theksoi se sulmi kishte qenë jashtëzakonisht i madh dhe i organizuar, me përdorim të armatimit të rëndë, duke vënë në rrezik serioz jetën e tij dhe të kolegëve të tjerë.

“Si zyrtar policor, por edhe gjatë jetës, nuk kam dëgjuar dhe nuk jam përballuar ndonjëherë me një sulm të tillë,” deklaroi ai, duke nënvizuar se intensiteti i sulmit e kishte bërë të pamundur edhe ndërhyrjen për ndihmë mjekësore.

Shaqiri gjithashtu përshkroi momentin e tërheqjes së trupit të rreshterit Bunjaku, duke e cilësuar si jashtëzakonisht të vështirë për shkak të sulmeve të vazhdueshme në vendngjarje. Ai tha se në ato çaste, rreshteri nuk kishte më puls.

“Më është thënë nga kolegu Alban, që të bëjmë dëmtimin e ndriçimit për shkak se kemi qenë në pozicion të zbuluar dhe se kemi qenë në rrezik për jetën. E kemi fikur ndriçimin në atë lokacion dhe kolegu Mirsadi e ka marrë veturën tjetër dhe është afruar te trupi i rreshterit të ndjerë dhe ka filluar ta tërheqë trupin e ndjerë të rreshterit, ku i ka ndihmuar edhe një kolegë tjetër nga stacioni policor i Zveçanit, por për shkak të sulmit nuk kanë mundur vetëm ata dy ta fusin në veturë, Mirsadi ka kërkuar ndihmë nga unë dhe Albani dhe Albani ka thënë se për shkak të gjendjes së rëndë nuk mund ta bëjë tërheqjen dhe me ka thënë të iu ndihmoj kolegëve. Kam dalë te pjesa e kolegëve dhe jam munduar ta shtyj trupin për ta futur në veturë nga pjesa e pasme, e kemi vënë re që s’po mundemi dhe jam sjell rreth veturës dhe kam fillu ta tërheq dhe kemi arritë me futë në veturë. Në ato momente kam kontrollu për puls edhe pse sulmi asnjëherë nuk është ndalur, e nuk kam mujt me vërejt puls, por për shkak të sulmit nuk kemi mund t’i japim ndihmë tjetër. Mirsadi me një kolegë të Zvecanit kanë arritë, përkundër që janë sulmuar në ato momente, kanë arritë me tërhjekë trupin dhe me vazhdu në drejtim të Mitrovicës së Jugut dhe unë jam kthyer te kolegët e mi aty afër kamionit. Kam arrit me shku afër kolegëve nëpër breshëri të plumbave dhe aty kam marr vesh që përveç rreshterit të ndjerë, është plagosur edhe kolegu Alban Rashiti”, tha Shaqiri. /Versus.al/

Poll